Halil Rama
Romani “Ministri” është pasqyrë e një realiteti të zhveshur nga retorika dhe të zhytur në moralin gri të kompromisit dhe të heshtjes. Është një rrugëtim politik, emocional dhe psikologjik drejt pikëpyetjeve rrëqethëse….
“Vetëm akte të rëndësishme morale mund ta ushqejnë politikën si institucion të rëndësishëm në funsion të demokracisë dhe qytetarëve tanë”. Këtë mesazh e përcjell fare qartë romani i ri “Ministri” i shkrimtarit Ahmet Prençi, i sapobotuar nga “Mediaprint”.
“Ministri” është romani që vjen si befasi në botën letrare të kryeqytetit shqiptar e më gjerë, të cilin shkrimtari, publicisti dhe diplomati i mirënjohur Arben Çejku e vlerëson si një vepër të shkëlqyer letrare që do ta trondisë akoma më shumë opininin publik shqiptar, në këtë periudhë të katarsisitit moral dhe politik. Sepse përcillet tek lexuesi profili i një ish të dënuari me burgim të përjetshëm, që 20 vjet pas arratisjes së së bujshme nga burgu i sigurisë së lartë, pasi ka kryer operacion plastik në SHBA, kthehet në atdhe me tjetër fytyrë dhe kap majat e pushtetit, fillimisht si deputet dhe më pas ministër i Brendshëm. Dhe jo vetëm në mënyrë figurative por si një pasha që kontrollonte kaçakët e kohëve moderne, të cilët ishin kthyer në tentakula të një oktapodi të fuqishëm që po gllabëronte çfarë i dilte përpara, për të cilin adrenalina e rrezikut ishte një lloj ushqimi që e mbante në formë, mendërisht dhe fizikisht.
“NJË METAMORFOZË OVIDIANE…”
Romani “MINISTRI” është strukturuar në rrëfime të shkurtëra kronologjike, në 34 episode, ku autori A.Prençi si rrallëkush trajton plagët sociale të një shoqërie në tranzicion të tejzgjatur. Kushdo që e lexon padyshim që do të befasohet me lëndën e larmishme, bukurinë e narrativës, karakteret e shumta, përshkrimet e portretizimet brilante, gjuhën e pasur e gjithë forcë shprehëse. Vetëm një shkrimtar elitë si Ahmet Prençi di të sjellë aq artistikisht në një roman të tillë personazhin kryesor që transormohet në “Një metamorfozë ovidiane”. Kësisoj “Ministri” është një roman i strukturuar në 34 episode që të magjepsin me bukurinë fjalës dhe forcën tërheqëse të leximit. Pavarësisht nga mjediset apo vendi ku zhvillohen ngjarjet, të gjitha episodet janë në koherencë me realitetin tronditës shqiptar të këtyre tri dekadave të fundit, trajtuar nga Ahmet Prençi me frymën e universalitetit. Kështu, dalëngadalë autori e zhvesh personazhin kryesor nga lëkura e atij djaloshit shqiptar që kishte ardhur pa asgjë në SHBA, duke e profilizuar atë “Një metamorfozë ovidiane…një proces përmes të cilit po transformohej në dikë tjetër. Jo thjesht një emigrant me histori për t’u treguar, por një lider i ardhshëm, një shpresë për ata që prisnin me sytë lart…” (fq.33).
“Ministri”, personazhi kryesor i këtij romani është ai për të cilin autori shkruan se “Fëmijëria e vështirë, rinia plot halle, ikja dramatike nga atdheu, jeta e përkohëshme e refugjatit në Greqi, të gjitha këto përbënin sagën e tij, të cilën Skënder Dreni e tregonte shpesh si histori personale…si një film që e kishte skalitur në kujtesë, të cilin mund ta rrëfente përmendsh, pa i ndryshuar asnjë detaj, sa herë që miqtë në Amerikë e pyesnin për të kaluarën…” (fq.29)… Dhe që “ndonjëherë i pohonte vetes me një buzëqeshje të ftohtë: Nuk jam më Skënder…jam skifter…”(fq.32).
Subjekti i këtij romani është ministri “skifter”, i cili “i ardhur nga Amerika… me syze të holla dhe fjalë të qeta…por ndoshta…me axhendë të fshehtë…” (fq.61), do e çojë në degradim gjithë sistemin, duke sjellë në strukturat e policisë së shtetit elementë të korruptuar e të lidhur ngushëtësisht me organizatat kriminale. Sepse, siç shkruan autori Prençi “Amerika i kishte mundësuar Skënderit atë që as në ëndrrat më të guximshme nuk do ta kishte parë: një jetë të re, një pozicion të fortë shoqëror dhe një plan…një enigmë të fshehtë, gjithnjë të pranishme. Të kthehej në Shqipëri. Ndonëse kishin kaluar dekada, instikti i fortë i shqiptarit, ku inati dhe urrejtja zor se zhduken, nuk e linte të shkëputej nga hakmarrja që i ziente përbrenda, me të cilën ishte ushqyer thellë në të shkuarën e tij”. (fq.33) dhe që do të kthehej si “ministër i Thikave dhe Shpatave Helmuese”.
PRENÇI, MJESHTËR I PËRSHKRIMIT
Edhe në këtë roman Ahmet Prençi prezantohet si mjeshtër i profilit, duke krijuar personazhe si shembëlltyra që të mbeten në kujtesë. Dukshëm kjo në episodet e 10 e 11-të, ku në një linjë vetëpërmbushëse, autori me mjeshtëri përveçon dy protagonistë të veshur me detaje që vetëm syri i mprehtë dhe mendja pjellore i shpërfaq aq mjeshtërisht. Sepse ai e ka të qartë se romani i tij “Ministri” do të ishte i vakët për lexuesin pa rrëfimin e skenave të dashurisë së ministrit Skënder Dreni me vartësen e tij Alma Kruja, e kësisoj e paralajmëron artistikisht fytyrën e maskuar të Marjan Bojës në rolin e Ministrit të Brendshëm. Në këto dy espisode ndonëse rrëfehet një histori e egër dhe pasionante, autori zbulon detaje që hijëzojnë Ministrin hije. Mjafton për këtë qoftë dhe perifrazimi i këtij fragmnti: “Lidhja e tyre që nisi si magjepsje, e kaloi shpejt kufirin drejt pasionit dhe rrëshqiti në një ndjesi të turbullt, një ndërthurje midis dëshirës dhe pasigurisë…Që në ditët e para të punës, shikimet mes saj dhe ministrit të ri ishin përplasur si flutura përreth dritës, një lojë e heshtur tensioni që sa vinte e zmadhohej në çdo takim. Ata nuk e fshihnin dot ndjesinë që i tërhiqte drejt njëri tjetrit, as shikimet sy më sy, as buzëqeshjet e përmbajtura që flisnin më shumë se fjalët…” (fq.72) . Gjithsesi ky nuk është thjeshtë një rrëfim, për dy zemra të dashurara, por një shpërthim i gjithshkaje që njeriu mban brenda pasionit, dhimbjes, krenarisë dhe mallkimit për të dashuruar deri në shkatërrim. Sepse: “Në atë afrim, Alma kuptoi se ai burrë nuk njihte kufij: as në dashuri, as në frikë, as në pushtet. Puthja e tij ishte si ajo e një njeriu që kërkon shpëtim, jo si e një dashnori që kërkon kënaqësi. Në çdo frymëmarrje të tij ajo ndjente një të fshehtë të errët, një dhimbje që ai përpiqej ta shkatërronte përmes forcës, përmes dëshirës, përmes harresës..”(fq.77). Është ky një rrëfim për ndëshikimin e shpirtit njerëzor, kur dashuria kthehet në zotërim, kur dëshira humb butësinë dhe lind nga ajo forcë që as koha dhe as vdekja nuk e shuajnë.
Gjithsesi prozatori i suksesshëm Ahmet Prençi, edhe në këtë roman nuk nguron t’i qaset bukurisë femërore, çka reflektohet me art e talent të rrallë në këtë përshkrim të Alma Krujës, kur: “Gjoksi i bëshëm fërkohej me një ritëm të ngadaltë duke u përpjekur me kraharorin e Skënderit. Me rrëmbim ai e ngriti peshë dhe të dy u rrokullisën në krevatin e gjerë me sytë e mbyllur dhe kafshimet e buzëve që përpëlitnin e psherëtinin pa pushim. Drita e zbehtë e dhomës reflektonte lehtë mbi trupat e zhveshur që rënkonin e lëviznin pa pushim nën epshin e ndezur që s’dinte të shuhej…”
Por, ndonëse marrëdhëniet shef-vartëse i përshkruan si të mbushura me pasione dhe emocione të pandalshme, shkrimi i Ahmet Prençit këtu depërton thellë në shpirtin katran dhe zbulon botën delikate të kriminelit që ka kapur fronin ministror, në strukturën e tij herë si njeri i matur e hërë tjera i dyzuar. Qartazi kjo në perifrazimin e fragmetit të mëposhtëm: “Mbrëmjet që Alma kalontë në shtëpinë e tij po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta….Në ëndërrat e saj e shihte Skënderin si një bashkëshort të mundshëm, por ftohtësia e tij, mënyra e heshtur dhe e përmbajtur me të cilën ai kontrollonte çdo gjë, e mbante të pavendosur….E kuptonte, nuk kishte vend për gabime në atë lojë, ku pasioni dhe pushteti vallëzonin bashkë mbi një teh thike të padukshme… …Alma e ndiente që brenda tij kishte diçka të thyer, një plagë që e bënte të paqetë, por nuk dinte as çfarë ishte, as si ta shëronte. Kjo ndjenjë e dyzuar e mbante pezull mes dashurisë dhe frikës, mes ëndërrës dhe realitetit, të cilit nuk dinte ti vinte një emër…”(fq. 88)
Po në këtë kontekst Prençi ka meritën e përshkrimit të Tiranës me “ngrehina të larta prej xhami e çeliku vezullues që ia kishin ndryshuar prej kohësh pamjen qytetit. Nga jashtë dukej sikur jeta rrihte me një puls të ri. Hoteleria, ndërtimi dhe jeta e natës ishin bërë motori i një zhvillimi marramendës: shpejtësi, kontrata pa zë, kompani që lindnin e zhdukeshin brenda një nate…”(fq. 8). Autori e përshkruan Tiranën si kryeqytetin që e kishte zhbërë të shkuarën dhe po vraponte drejt një të ardhmje që pak mund ta ndiqnin.
NEVOJA E POLITIKËS PËR NJË KATARSIS TË PLOTË
Rrëfimi i qartë, dinamika dhe ritmi i lartë përshkojnë zhvillimin e ngjarjeve në romanin “Ministri”, ku autori Ahmet Prençi në mënyrë të letrarizuar thekson nevojën e politikës për një katarsis të plotë. Përvoja si një nga drejtuesit e lartë më të suksesshëm i organeve ligjzbatuese reflektohet qartë edhe në këtë roman, ku ai profilizon mjeshtërisht Arsen Gashin, ish hetuesin që e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Marjan Bojën dhe tani në rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ia çjerr atij maskën duke zbuluar “një ministër të falsifikuar nga këmbët tek koka, nga Tirana deri në Uashington”. Prençi e përshkruan ministrin fantazmë si dështak në përpjekjet për ta rrëzuar e degraduar Arsenin sepse “si djall i dalë nga shishja, i ruhej Arsenit si djalli temjanit”…dhe se: “Në një farë këndvështrimi, Skënderi (ministër) ishte një i burgosur i nivelit shumë të lartë, që kishte roja 24 orë, veçse jo në qelinë e merituar, por në një zyrë të lartë shetiti”. (fq.198). Perifrazime të tilla dëshmojnë se përvoja në organet ligjzbatuese i ka dhënë Ahmet Prençit një surplus në interpretimin e dukurive shoqërore, çka duket qartë edhe në përshkrimin e ngjarjeve të këtij romani, ndër më të kërkuarit e të preferuarit nga lexuesi.
Kësisoj, ndonëse në faqet e para e përshkruan Skënder Drenin me formim specifik, të marrë në një shoqëri të lirë që prej dekadash mban lidershipin global në shumë drejtime (fq. 25), në fund, në seancën e heqjes së imunitetit në komisionin e mandateve e prezanton si personazhin që “E ndjeu se ky qe fundi i gjithë atij teatri që kish nisur dekada më parë si djalë i famshëm i botës së krimit dhe sot, ministër, kriminel me vulë!”.(Fq.240).
Si ekzaminuesi më i saktë i një qeverisjeje kriminale e të korruptuar, në koherencë ne realitetin objektiv, Ahmet Prençi, e reflekton sërish këtë realitet në profilin e personazhit kryesor të romanit të tij kur shkruan se: “Nëse më thoni se paskam dy identetite, ja ku po jua them se këta këtu që kam rreth e rrotull, nuk kanë dy por dyzet identitete me të cilat të vjedhin ty o popull shqiptar! Ata kanë nga një maskë për çdo veprim që kryejnë, më besoni. Ata paskan dosje për mua, por dhe unë kam disa dosje për ata! Kjo është gjueti shtrigash dhe mbajeni mend, unë do t’i marr të gjithë me vete! Shoh se sot jam vetëm përballë mafies politike, i trajtuar si gangster i botës së krimit!”.
Lakonizmi i autorit Prençi spikat gjithashtu jo vetëm në përshkrimin e Skënder Drenit si – një emër “transatlantik”…por thekshëm edhe te portertizimi i Sidrit Shpatit, kryetarit të partisë opozitare (më vonë kryeministër), si “një figurë me peshë dhe orator i pjekur, por që nuk e kishte harruar ndjesinë e dikurshme, kur gëzimi për një arritje të vogël dukej si triumf i madh dhe përgjegjësia ndihej më lehtë… Një burrë në të pesëdhjetat, me trup të gjatë, të mbajtur mirë, transmetonte mençuri dhe vendosmëri… që për të fituar betejën finale i duhej një “dorë e fortë amerikane”” (fq.11).
Episode që të mbesin në mendje nga leximi i këtij romani janë edhe akti i dhunshëm, tritolli në shtëpinë e deputetit të opozitës Osman Zalli, që gjatë fushatës elektroale e kishte thumbumuar Skënder Drenin me ironi “Mos përrallis për Amerikën, trego kush je dhe çfarë ke bërë atje!”.
KONCEPTET FILOZOFIKE
Në romanin e ri të Prençit shtjellohen artistiksht edhe konceptet filozofike si: “Kryetarët e partive, të kthyer në ciceronë të fjalëve boshe dhe premtimeve të pambajtura, ishin bërë një fasadë e frikshme e një “lirie politike”, që çdo ditë rrëshqiste drejt anarkisë së votës së dëformuar….”; se blerja e votës nuk ishte më një incident i izoluar, por vetë formula e blerjes së pushtetit….(fq.13), për të vijuar te … “Në politikë, çdo hap që bën është nën vëzhgim…çdo veprim, çdo deklaratë..” dhe se … “Vëmendja vjen edhe nga brenda radhëve tona, aty ku ethet e karrierës dhe xhelozia godasin më të mirin…(fq.26) e për të përfunduar te konkluzioni se “Imazhi i fotos në krah të amerikanëve kishte më shumë peshë se çdo fakt real”…(fq.82)
Si risi e romanit “Ministri” është për t’u vënë re edhe mënyra si u qaset ai emrave të personazheve, që të ngazëllejnë herë me karakterin, herë me profilin e tyre, të ndërtuar mjeshtërisht nga shkrimtari elitë Ahmet Prençi.
Larminë e subjekteve, natyrshmërinë, ritmin, muzikalitetin dhe ngjyrimet e fjalës, trillin dhe lakonizmin, i ndeshim si veçori të pranishme në secilin prej episodeve.
Personazhe si Skënder Dreni, Alma Kruja, Arsen Gashi etj janë ngjizur me fantazi të pashtershme kreative dhe të harmonizuara në një roman të strukturuar gjithë origjinalitet, çka dëshmon sërish nivelin e lartë të këtij mjeshtri të denjë të prozës sonë.
RRUGËTIM DREJT PIKËPYETJEVE RRËQETHËSE
Ahmet Prençi që në vitin 2016 botoi vëllimin me poezi “Udhë në pasqyrë”, i cili u vlerësua me çmimin “Esad Mekuli”; pas botimit të librave “Artan Cuku im memoriam” (2018) dhe “Vice Versa”(2019); pas romanit “Anja”, i cili u ribotua dhe tri herë dhe u botua edhe në Turqi në vitin 2022 nga Shtëpia Botuese “Artshop” (roman në vitin 2021 fitoi çmimim në konkursin kombëtar “At Gjergj Fishta” dhe u nominua ndër dhjetë romanett më të mira për çmimin kombëtar të Ministrisë së Kulturës); pas botimit më 2022 dhe promovimit të bujshëm të romanit “Brenga e prokurorit” (i ribotuar më 2024 dhe i vlerësuar me çmime në konkursin “At Zef Pllumi” në panairin “Kamza lexon” 2024 si dhe me me çmimin për prozën më të mirë nga PEN Albania dhe Pen Kosova; i ribotuar në SHBA në vitin 2024 nga PrincPress – Minneapoilis, MN dhe në Itali, në vitin 2026 nga Shtëpia Botuese Rubbettino, me titullin “Dentro la note di Martin Guri”); ndërkohë që në vitin 2025 botoi edhe librin me shënime udhëtimi “Horizonti i ëndrrës amerikane”, vjen edhe me romanin e sapobotuar “MINISTRI” që nuk është thjesht një trill letrar, por s’është as një thjeshtësim i realitetit. Në faqet e tij zhvillohet një përballje e madhe. Ky libër nuk është veç rrëfim për një të arratisur nga burgu i përjetshëm. Është mesazh për një vend që në fillim harron, më pas fal dhe në fund vuan. Siç shkruhet në njërën anë të kopertinës, romani “Ministri është pasqyrë e një realiteti të zhveshur nga retorika dhe të zhytur në moralin gri të kompromisit dhe të heshtjes. Është një rrugëtim politik, emocional dhe psikologjik drejt pikëpyetjeve rrëqethëse…. Autori eshte Mjeshtër i Madh







