Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet e fundit mes Uashingtonit dhe Teheranit, pas një armëpushimi dy javore, duke e cilësuar situatën si një moment historik për paqen globale.
Në një postim të publikuar në platformën Truth Social, në orët e para të mëngjesit të së Mërkurës, Trump deklaroi: “Është një ditë e madhe për paqen botërore! Irani dëshiron që kjo të ndodhë, janë lodhur mjaftueshëm! E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë të tjerët.”
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në rritjen e qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të energjisë, duke paralajmëruar zhvillime pozitive në vijim.
“Do të ketë shumë veprime pozitive. Do të gjenerohen shumë të ardhura. Irani mund të nisë procesin e rindërtimit. Ne do të furnizojmë me çdo lloj ndihme dhe thjesht do të presim për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë,” shkroi Trump.
Ai shtoi se është i bindur për një përfundim pozitiv të situatës, duke e krahasuar potencialin e zhvillimeve në Lindjen e Mesme me atë që ai e cilësoi si “Epoka e Artë” në Shtetet e Bashkuara.
“Siç po përjetojmë në SHBA, kjo mund të jetë Epoka e Artë e Lindjes së Mesme,” përfundoi ai.







