Policia e Shtetit ka njoftuar për një skemë të re mashtrimi që qarkullon përmes mesazheve SMS, e ngjashme me rastet e mëparshme të “Postës Shqiptare”. Për këtë çështje, është depozituar edhe kallëzim nga vetë institucioni i Postës pranë Strukturave për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit.
Mesazhet mashtruese paraqiten si njoftime zyrtare nga e-Albania për pagesën e gjobave të automjeteve dhe përmbajnë linke të falsifikuara që drejtojnë përdoruesit në faqe të rreme, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe bankare. Policia thekson se këto mesazhe nuk kanë lidhje me e-Albania apo institucionet shtetërore.
Qytetarët këshillohen të jenë të kujdesshëm:
Të mos klikojnë në linke nga numra të panjohur;
Të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të pakonfirmuara;
Të mos veprojnë nën presionin e mesazheve që krijojnë urgjencë.
Rekomandohet gjithashtu
Përdorimi vetëm i faqes zyrtare https://e-albania.al;
Fshirja e menjëhershme e mesazheve të dyshimta;
Raportimi i çdo rasti pranë autoriteteve.
Policia e Shtetit rikujton se mbrojtja nga mashtrimet online kërkon vigjilencë dhe përdorimin ekskluziv të kanaleve zyrtare për çdo shërbim apo pagesë elektronike.











