Sot një litër naftë kushton 220 lekë. Vendimi i marrë këto ditë nga Këshilli i Ministrave, përmes Skemës Kombëtare të Bujqësisë 2026 nuk e parashikon më furnizimin me karburant në bujqësi, pa TVSH, akcizë dhe taksa të tjera. Vjet këtë mbështetje e morën 49 mijë e 800 fermerë. Kjo e bën mbështetjen shtetërore të naftës një nga instrumentet më të përdorura dhe më të prekshme për fermerët, pasi ndikonte drejtpërdrejt në një nga kostot bazë të prodhimit.
I. Heqja e naftës, vetëvrasje në bujqësi!
Në bujqësi, nafta përdoret në çdo fazë të ciklit bujqësor. Nga përgatitja e tokës dhe mbjellja në pranverë, tek korrja gjatë verës dhe plugimet në vjeshtë. Në këtë kuptim, çdo rritje e çmimit të saj përkthehet menjëherë në kosto më të larta për fermerin.
Fermeri shqiptar konkurron në treg me produkte të importuara nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Greqia dhe vendet e tjera të rajonit. Në këto vende, fermerët vazhdojnë të përfitojnë (i) naftë me taksa të reduktuara, (ii) subvencione direkte për hektar, (iii) mbështetje për plehra, farëra dhe vaditje, si dhe (iv) grante për mekanizim. Si rezultat, prodhimi i importuar hyn në tregun tonë me kosto më të ulët sesa prodhimi vendas. Nëse fermeri shqiptar paguan 110–120 lekë më shumë për çdo litër naftë nga taksat që këtej e tutje nuk i hiqen, ai humbet automatikisht avantazhin konkurrues.
II. Fermerët e vegjël janë ata që masakrohen të parët
Kjo dukuri do të çojë në rritje të importeve të produkteve bujqësore, në mbyllje të fermave të vogla, në rënie të të ardhurave në zonat rurale dhe në shtim të emigracionit nga fshati. Fermerët e vegjël janë më të prekurit, sepse ata kanë sipërfaqe të kufizuara, pak mundësi për të përballuar kostot e shtuara, shumë më pak qasje në kredi dhe më pak mekanizim.
Për një fermer me 1–2 hektarë, rritja e kostos së naftës përbën diferencën mes fitimit dhe humbjes. Pjesa dërrmuese e tyre do të detyrohen të braktisin aktivitetin bujqësor. Ky është efekti i kësaj politike të mbrapshtë bujqësore të sektit Rama në kulmin e krizës së naftës nga lufta ne Iran.
Në zonat malore dhe të thella, ku kostot e transportit janë edhe më të larta, efekti bëhet edhe më i rëndë.
III. Ekonomia rurale në prag të shkatërrimit
Bujqësia mbetet një nga burimet kryesore të punësimit në zonat rurale. Kur fermerët prodhojnë më pak, efekti përhapet në të gjithë ekonominë lokale. Ulen të ardhurat e familjeve rurale, ulet kërkesa për punë sezonale, bien të ardhurat e pikave të grumbullimit dhe tregtarëve, si dhe dobësohen bizneset e vogla që furnizojnë fermerët.
Një ulje e aktivitetit bujqësor me vetëm 5–7% mund të ndikojë ndjeshëm në ekonominë e qarqeve me bazë të fortë bujqësore si Fieri, Korça, Lushnja, Berati dhe Elbasani. Shqipëria rrezikon të mbetet vendi me mbështetjen më të ulët për bujqësinë në Ballkanin Perëndimor.
Sekti Rama ofron mbështetje zero për naftën, duke i braktisur fermerët këtë vit, ndërsa Maqedonia e Veriut ofron 1.5 % të PBB-së për naftën në bujqësi, Kosova 0.8%, Mali i Zi 1.2% dhe Serbia 1.7%. Ky hendek i madh tregon se fermeri shqiptar hyn në treg me kushte dukshëm akoma dhe më të pafavorshme këtë vit.
xxx
Heqja e mbështetjes së fermerëve me naftë pa taksa në Skemën Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026 rrit kostot e prodhimit në bujqësi, ul sipërfaqet e mbjella, dobëson konkurrueshmërinë dhe rrit çmimet për konsumatorin. Më të prekurit janë fermerët e vegjël dhe zonat rurale, të cilat rrezikojnë të humbin një pjesë të rëndësishme të aktivitetit ekonomik.
Në një kohë kur vendet e rajonit po rrisin subvencionet për bujqësinë, Shqipëria rrezikon të ecë në drejtimin e kundërt. Pa mbështetje për karburantin dhe inputet kryesore, bujqësia shqiptare do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të konkurrojë dhe të sigurojë prodhim vendas me çmime të përballueshme.







