nga Bujar Leskaj
Në fund të majit 2015, sekti Rama në pushtet miratoi ligjin për “Investimet Strategjike”, me efekt të përkohshëm deri në vitin 2018, gjoja për të nxitur investimet e huaja në sektorë me ndikim në ekonominë e vendit. Ligji ofroi lehtësira procedurale, fiskale dhe administrative, investime publike, dhënien e tokës publike dhe ndërhyrjen e shtetit për shpronësim të pronës private, për ata investitorë që do të përfitonin statusin “investitor strategjik”.
I. Si ligji anashkaloi me qëllim nxitjen e prodhimit industrial dhe bujqësor
Relacioni mashtrues i sektit në maj 2015 cilësonte se gjoja përmes këtij ligji synohej zhvillimi i sektorëve strategjikë të ekonomisë, kryesisht prodhues, të tillë si energjetika, minierat, bujqësia dhe peshkimi, duke favorizuar investimet e huaja.
Në të vërtet, gjatë më shumë një dekade, kohë kur sekti në pushtet e shtyu në Kuvend afatin e zbatimit të ligjit 5 herë, deri në fund të vitit 2025, nga 48 vendime të miratuara deri tani për dhënien e statusit “investitor strategjik”, vetëm dy janë investime të huaja!
Një investim koreanojugor për prodhim pjesësh makinash dhe ai arab për portin e jahteve në Durrës, i cili ka ngelur në cektine dhe shet apartamente në erë. Nga të 48 projektet e miratuara, vetëm dy janë investime në bujqësi, ose 4 përqind e totalit!
Qëllimi për të thithur investimet e huaja është pothuajse i parealizuar. Sektorët strategjikë si energjia dhe bujqësia janë anashkaluar.
II. Përqendrimi abuzues tek turizmi gjoja “strategjik”
Atëhere, për çfarë ka shërbyer ky ligj, në 11 vitet e zgjatura pesë herë të jetës së tij? Më shumë se 80 përqind e vendimeve për dhënien e statusit “investitor strategjik” kanë favorizuar investime në turizëm, shpesh në zona të mbrojtura natyrore dhe arkeologjike, për të ndërtuar struktura akomoduese dhe hoteleri, ku përfituesit rezultojnë të jenë një grup biznesmenësh të lidhur me sektin Rama në qeverisje.
Një rast akordimi të statusit shënoi rekord negativ në plotësimin e kritereve për institucionet demokratike, në negociatat me Bashkimin Evropian.
Gjatë aplikimit për marrjen e statusit “Invetitor strategjik”, shpesh dosjet kishin mangësi të mëdha, pasi kompanitë që kishin marrë “OK” nga lart nuk arrinin të justifikonin me bilancet e tyre garancinë financiare që kërkohej për investimet që pretendonin të bënin, mirëpo stafi i AIDA-s i asistonte për të ‘kopsitur’ letrat.
Ekspertët ligjorë dhe financiarë mendojnë se ligji i investimeve strategjike devijoi nga qëllimet parësore për nxitjen e sektorëve prodhues dhe infrastrukturorë dhe se nuk ndikoi në nxitjen e zhvillimit të ekonomisë. Madje këtë ai nuk e bëri as edhe në turizëm, në sektorin ku u aplikua tetë në dhjetë raste.
Edhe pse u shit nga sekti Rama si një instrument tranzitor për të nxitur kapitalin e madh, kryesisht të huaj në sektorë strategjikë prodhues dhe infrastrukturorë, në praktikë ligji ka shërbyer si një mjet për të përshpejtuar dhe privilegjuar investime me natyrë të kufizuar zhvillimore, të fokusuara në turizmin bregdetar dhe kryesisht në pasuri të paluajtshme e jo në hotele.
III. Ligj i devijuar keqazi, që ka ndihmuar masakrën e pronave në Shqipëri
Fakti që investimet e ligjit u përqendruan në sektorin e turizmit tregon një devijim të thellë nga qëllimi parësor, stimulimi i investimeve në prodhim dhe në infrastrukturë. Efektet e ligjit në sektorët prodhues, aty ku justifikohej dhe merrte moral ky ligj, janë minimale dhe të papërfillshme. Nga të dhënat e publikuara dhe shqyrtimet e rasteve konkrete, investimet e miratuara në sektorin e energjisë, bujqësisë apo transportit janë ose sporadike, ose në pjesën më të madhe janë planifikime të pazbatuara.
Ndërsa të 39 investimet në turizëm nuk kanë mundur të ndihmojnë as edhe sektorin ku po kryheshin, duke mos krijuar zinxhir me industrinë prodhuese vendase. Ato thjesht kanë sjellë një “boom informal”, të përqendruar vetëm tek ndërtimi.
Vendimet e marra, edhe pse mund të kenë respektuar formalisht ligjin, kanë qenë në kundërshtim me qëllimet dhe efektet që ligji synonte të arrinte. Ligji është përdorur më shumë si mjet trajtimi preferencial, sesa si një instrument për zhvillimin strategjik të vendit.
Zbatimi i tij, sipas ekspertëve seriozë ekonomikë të vendit dhe opozitës, ka nxjerrë në dritë problematika të mëdha me pronat, mungesën e konkurrencës, keqpërdorimin e burimeve publike në favor të investitorëve strategjikë, konfliktin e interesit në dhënien e statusit dhe mungesën e transparencës në mënyrën se si përzgjidhen investitorët. Nga ana tjetër, ligji nuk ka sjellë ndikim në ekonomi dhe as në sektorin e turizmit ku është fokusuar.
Ligji ka krijuar një anomali ligjore, pasi lejon që shteti të ndërhyjë mes marrëdhënieve private, të investitorit dhe atij që ka pronën. Kjo cenon të drejtën e pronës, të pronarit legjitim për ta zhvilluar. Përmes këtij ligji dhe ligjin famëkeq 2020, janë shpronësuar banorët e Bregdetit në Jug të vendit.
Ne këto ritme dhe përmes këtij ligji, sot po shkatërrohet dhe betonizohet edhe bregdeti i Himarës, duke e kthyer në një “Golem” të dytë.
IV. Ligji: arkitekturë ligjore false që nxiti klientelizmin politik rreth Ramës
Ligji ka favorizuar dhe nxitur fort klientelizmin politik të oligarkëve rreth Ramës, duke justifikuar ndarjen e pronës publike në bregdet, ku ka pasur një përqendrim të qëllimshëm të ‘statusit strategjik’”. Kjo mënyrë veprimi ka qenë në konflikt të hapur me interesin publik dhe ligjshmërinë.
Liberalizimi i paqartë i statusit të “investitorit strategjik” në turizëm ka zhbërë çdo diferencim midis investimeve reale me impakt afatgjatë dhe projekteve të fokusuara thjesht në tregun e pasurive të paluajtshme. Investitorët vendas qokaxhinj të sektit Rama në pushtet iu turrën bregdetit, përmes këtij ligji, pasi favoret për projektet në turizëm që ky ligj ofronte, kishin kosto oportuniteti shumë më të ulët, sesa bujqësia, industria apo energjia.
Investimet strategjike përmes këtij ligji nuk u shoqëruan pothuajse asnjëherë nga politika të bashkërenduara në taksa, në infrastrukturë, në fuqi punëtore apo në mbështetje financiare. Pa këtë koherencë, ligji ka funksionuar në vakuum, i shkëputur nga realiteti i sfidave të zhvillimit real ekonomik të vendit.
Ligji përbën një dështim të plotë të një arkitekture ligjore false, që nuk u shoqërua me integritet institucional, selektivitet real, apo një vizion të qartë për zhvillim ekonomik afatgjatë të vendit.
Ligji ka ngritur shqetësime serioze në shkeljen e konkurrencës së drejtë, për klientelizëm, cenimin e të drejtës së pronës dhe cenimin e mjedisit. Këto janë aspekte që bien ndesh në mënyrë flagrante me standardet e Bashkimit Evropian për konkurrencën e drejtë dhe praktikat e mira në qeverisjen ekonomike.
xxx
Ligji jep akses jokonkurrues në asete shtetërore duke anashkaluar procedurat e rregullta të prokurimit. Kjo i penalizon sipërmarrjet që ndjekin rrugën e rregullt dhe krijon një perceptim, nëse jo edhe realitet, të klientelizmit apo një kapitalizmi klanor. Ai ka shtrembëruar rëndë konkurrencë n treg, në favor të njerëzve me kapital dhe ndikim politik tek sekti Rama dhe në dëm të madh të sipërmarrësve dhe projekteve të reja me potencial inovativ.
Ky ligj praktikisht i ka masakruar pronat në Shqipëri, duke përvetësuar prona publike pa garë dhe, nga ana tjetër, duke shpronësuar pronën private, me gjoja justifikimin e “interesit publik”!. Duke marrë parasysh edhe sistemin tonë gjyqësor të ngadaltë dhe të dobët, ligji ka krijuar një regjim me dy nivele, ku investitorët strategjikë mbrohen, ndërsa qytetarët pronarë, sidomos banorët e Bregdetit, përballen me padrejtësi ekstreme dhe pasiguri për të drejtat e tyre të pronës.







