HomeIntervistaINTERVISTA/Ahmet Prençi rrëfen “Ministrin”: E vërteta nuk shkruhet për të tronditur, por...

INTERVISTA/Ahmet Prençi rrëfen “Ministrin”: E vërteta nuk shkruhet për të tronditur, por për të reflektuar

Advertismentspot_img

Shkrimtari Ahmet Prençi në një interviste për gazetën “Dibra” flet për romanin e tij “Ministri” të sapo publikuar! “Në një kohë kur shoqëria shqiptare përballet me sfida të forta morale dhe institucionale, figura si Ahmet Prençi mbeten të veçanta për shkak të rrugëtimit të tyre të dyfishtë: në shërbim të shtetit dhe në botën e mendimit e letërsisë.
Me një përvojë të gjatë në strukturat ligjzbatuese dhe me një krijimtari që prek tema të ndjeshme si drejtësia, pushteti dhe ndërgjegjja, ai vjen përpara lexuesit si një zë i rëndësishëm reflektimi. E falënderojmë për gatishmërinë për këtë intervistë dhe për kontributin e tij në debatin publik dhe kulturor shqiptar” shkruan gazeta “Dibra”.
Më poshte keni intervisten shtetruese të shkrimtarit Ahmet Prençi.

Zoti Prençi, romani “Ministri” vjen si përmbyllje e një trilogjie pas “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit”. Çfarë përfaqëson kjo vepër në këtë rrugëtim letrar?

Po, romani “Ministri” përmbyll këtë trilogji. Jo në kuptimin klasik të vijimësisë së drejtpërdrejtë të personazheve, por në kuptimin e kohës, të zhvillimit të ngjarjeve dhe të thellimit të konfliktit njerëzor që ato mbartin. Është një udhëtim që nis me romanin “Anja”, vazhdon e piqet me romanin“Brenga e Prokurorit” dhe arrin kulmin e vet shpërthyes nëromanin e fundit “Ministri”.
Personazhi kryesor i këtij romani nuk lind papritur. Ai është një ndërgjegje që formohet, rritet dhe përballet me vetveten përgjatë gjithë trilogjisë, derisa arrin në pikën ku nuk mund të shmangë më përballjen me të vërtetën dhe pasojat e saj.
Në thelb, kjo trilogji është një pasqyrë e trazuar e tranzicionit shqiptar në këto tri dekada. Janë ngjarje të marra nga realiteti, të përpunuara në letërsi, ku lexuesi mund të gjejë veten: herë si protagonist, herë si dëshmitar. Herë i dorëzuar përballë rrethanave, herë triumfues përmes qëndresës së brendshme.
Por përtej ngjarjes, ajo që më ka interesuar më shumë është drama e brendshme e njeriut, lufta e heshtur mes ndërgjegjes dhe pushtetit, mes së drejtës dhe interesit, mes frikës dhe guximit.
Kjo trilogji është, në fund të fundit, një thirrje për kujtesë. Një përpjekje për të mos harruar dallgët që kemi kaluar, për të reflektuar mbi gabimet tona si shoqëri dhe për t’i kthyer ato në mësim. Sepse vetëm duke u përballur me të shkuarën, mund të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë dhe më të vetëdijshme.

Ju keni theksuar se fabula është trill, por udhëhiqet nga realiteti. Sa i pranishëm është realiteti shqiptar në kët roman?

Në një kuptim, filli i fabulës është një krijesë letrare, një konstrukt artistik që përshkon të tre romanet. Por kjo fabul nuk zhvillohet në një hapësirë të trilluar abstrakte. Ajo vendoset mbi një terren që ne e njohim mirë, një realitet që e kemi jetuar, e kemi prekur dhe shpeshherë e kemi përballuar me koston tonë njerëzore.

Të gjitha episodet që ndërtojnë jetën e personazheve, pra marrëdhëniet e tyre, konfliktet, përjetimet, vendet ku lëvizin, janë thellësisht të prekshme dhe të rrënjosura në realitetin shqiptar. Në fakt, shpeshherë realiteti edhe i zhveshur nga çdo ngjyrim letrar, e tejkalon imagjinatën. Ai është më i fortë, më i ashpër dhe më tronditës se çdo fantazi.

Realiteti shqiptar është i pranishëm në çdo faqe të këtij romani. Dhe besoj se lexuesi do ta ndiejë këtë jo si një përshkrim të largët, por si një përvojë të njohur, si diçka që e ka parë vetë, ose që e ka dëgjuar nga dikush shumë pranë tij.

Përvoja ime e gjatë në institucionet ligjzbatuese më ka vendosur shpeshherë përballë situatave reale, të forta dhe shpesh tronditëse. Kam në kujtesë dhe në shënimet e mia qindra episode që më kanë shoqëruar në vite. Në procesin krijues, këto episode kalojnë në një lloj “laboratori letrar”, ku përpunohen, transformohen dhe marrin formë artistike, pa humbur thelbin e së vërtetës që mbartin.

Prandaj, pavarësisht emrave të ndryshuar apo strukturës artistike, ajo që qëndron në themel është e vërteta. Një e vërtetë që “flet” dhe që shpeshherë nuk mund të heshtet.

Për mua, kjo nuk është vetëm një zgjedhje letrare, por edhe një detyrim moral. Temat që trajtoj, kriminaliteti si kërcënim për shoqërinë, përgjegjësia e shtetit, sakrifica e punonjësve të policisë dhe mbrojtja e më të dobëtve, janë pjesë e një realiteti që kërkon të rrëfehet.

Është e vërtetë që kjo tematikë nuk ka qenë shumë e pranishme në letërsinë shqiptare. Ndoshta unë jam vetëm në fillim të një përpjekjeje për ta trajtuar më gjerë. Dhe ndoshta kjo nuk është gjithmonë letërsia më e përkryer në planin estetik, por besoj se është një letërsi e domosdoshme, e rëndësishme për kujtesën, për ndërgjegjen dhe për të mos lejuar që e vërteta të mbetet në hije.

A është Ministri nje reflektim i përvojave tuaja në institucionet ligjzbatuese?

Siç e kam shpjeguar, romani “Ministri” nuk është një rrëfim autobiografik, por ai ushqehet nga përvoja dhe nga një realitet që e kemi parë dhe e njohim mirë. Rreziku i depërtimit të individëve me të shkuar kriminale në politikë dhe në drejtimin e institucioneve të sigurisë është real. Ka ndodhur dhe, nëse nuk jemi vigjilentë, mund të përsëritet.

Ky është edhe një nga mesazhet kryesore të romanit: nevoja për të kuptuar dhe për të mos lejuar këtë fenomen. Personazhi i Kryeministrit në vepër përjeton një ndjenjë të thellë tradhtie dhe reagimi i tij në fund është reagimi i një shtetari që vendos të përballet me të vërtetën, pavarësisht kostos.

Nëse i rikthehemi kujtesës, dhe kjo është një ushtrim që shoqëritë duhet ta bëjnë vazhdimisht, do të kuptojmë se situata të ngjashme kanë ndodhur gjatë këtyre tri dekadave në Shqipëri. Ky nuk është një rrezik i kaluar, por një rrezik i përhershëm.

Duhet theksuar gjithashtu se ky fenomen nuk është ekskluzivisht shqiptar. Historia dhe përvoja ndërkombëtare tregojnë se krimi, në forma të ndryshme, ka synuar gjithmonë të depërtojë në politikë dhe në institucionet shtetërore. Fillimisht në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe, kur kjo ka dështuar, përmes infiltrimit të individëve të lidhur me të.

Pikërisht për këtë arsye, forca e institucioneve matet edhe me aftësinë e tyre për të ndërtuar filtra të fortë verifikimi dhe për të reaguar në kohë ndaj çdo tentative të tillë.

Prandaj, sfida jonë mbetet të ndërtojmë institucione që jo vetëm vendosin kufij, por që dinë edhe t’i mbrojnë ato me vendosmëri.

Në roman shfaqet përplasja mes ligjit dhe moralit. A mendoni se kjo është dilema kryesore e shoqërisë shqiptare sot?

Mendoj se po. Kjo mbetet një nga dilemat më të mëdha të shoqërisë shqiptare edhe sot.

Ne vijmë nga një periudhë e gjatë izolimi nën një regjim komunist, ku liria ishte e munguar dhe ku ligji shpesh identifikohej me vullnetin e pushtetit. Me ndryshimin e sistemit, liria erdhi menjëherë, por pa një përgatitje të mjaftueshme për ta menaxhuar atë. Dhe pikërisht këtu nisi edhe përplasja: mes ligjit si normë formale dhe moralit si busull e brendshme.

Ky tranzicion i shpejtë solli jo vetëm transformime të mëdha, por edhe kaos dhe trauma shoqërore. Institucionet e reja ishin të brishta, pa përvojë në funksionimin e një sistemi demokratik, shpesh të mbartura me mendësi të së shkuarës. Nga ana tjetër, edhe kultura jonë shoqërore, e ndërtuar ndër shekuj, nuk mund të ndryshonte brenda natës.

Në këtë kontekst, individi shpesh është gjendur përballë një dileme të fortë: të zbatojë ligjin, edhe kur ai duket i padrejtë apo i deformuar në praktikë, apo të ndjekë moralin e tij, duke rrezikuar të dalë jashtë kornizave formale.

Kjo përplasje është në thelb të romanit tim dhe përshkon të tre librat e trilogjisë. Është një luftë e brendshme, shpesh e heshtur, që zhvillohet te personazhet, por që në fakt është reflektim i një konflikti më të gjerë shoqëror.

Dhe kjo nuk është një dilemë që i përket vetëm së shkuarës, ajo vazhdon edhe sot.

Kjo është një pyetje që nuk ka një përgjigje të lehtë. Por është një pyetje që duhet bërë vazhdimisht, si në letërsi, ashtu edhe në jetën reale.

Pyetje: A është më shumë individi që deformon sistemin apo sistemi që prodhon individë të tillë?
Mendoj se kjo është një pyetje thelbësisht komplekse dhe nuk mund të ketë një përgjigje të thjeshtë bardhë e zi. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një marrëdhënie të ndërsjellë: individi ndikon sistemin, por edhe sistemi formëson individin.

Megjithatë, në gjykimin tim, pesha kryesore bie mbi sistemin. Sepse një sistem i fortë institucional nuk duhet të lejojë që individë të caktuar, sado të fuqishëm apo të vendosur të jenë, të deformojnë rregullat e lojës. Përkundrazi, ai duhet të jetë i ndërtuar mbi mekanizma kontrolli, balancash dhe përgjegjshmërie që e kufizojnë çdo devijim.

Problemi lind pikërisht atëherë kur sistemi është i dobët, kur filtrat nuk funksionojnë, kur meritokracia zëvendësohet nga klientelizmi dhe kur ligji zbatohet në mënyrë selektive. Në këto kushte, individë me prirje për abuzim jo vetëm që depërtojnë, por arrijnë edhe ta përvetësojnë sistemin, duke e kthyer atë në një instrument të interesave të tyre.

Nga ana tjetër, është e vërtetë që edhe sistemi, nëse funksionon keq për një kohë të gjatë, fillon të prodhojë individë të tillë. Ai krijon një kulturë ku abuzimi normalizohet, ku përgjegjësia zbehet dhe ku ndershmëria shihet si dobësi, jo si vlerë.

Pra, kemi një rreth vicioz: një sistem i dobët prodhon individë problematikë dhe këta individë, nga ana e tyre, e dobësojnë edhe më tej sistemin.

Pikërisht këtu qëndron sfida e vërtetë e një shoqërie: të ndërtojë institucione që janë më të forta se individët.

Në fund, nuk është çështja nëse kemi individë të mirë apo të këqij, sepse ata do të ekzistojnë gjithmonë. Çështja është nëse sistemi është aq i drejtë dhe i fortë sa të mos lejojë që të këqijtë ta kapin dhe ta deformojnë atë.

Në vijim të “Brenga e Prokurorit”, ku trajtoni drejtësinë e kontaminuar, a është “Ministri” një zgjerim i kësaj panorame?

Po, është një konstatim i drejtë dhe ju falënderoj për leximin e vëmendshëm, sepse vetëm përmes një leximi të tillë mund të kapet vazhdimësia që lidh këto vepra.

Në një farë mënyre, “Ministri” është një zgjerim natyral i panoramës që kam nisur të trajtoj te “Brenga e Prokurorit”. Nëse në atë roman fokusi ishte te drejtësia e kontaminuar, te deformimi i sistemit të drejtësisë nga ndërhyrje të jashtme apo interesa të caktuara, atëherë në romanin “Ministri” kjo panoramë zgjerohet drejt niveleve më të larta të pushtetit.

Pra, kemi një kalim nga pasojat te burimi. Nga sistemi që deformohet, te mekanizmat që e deformojnë atë.

Në këtë kuptim, trilogjia krijon një lloj harte të realitetit tonë: nga individi, te institucioni, e deri te pushteti politik si niveli më i lartë ku ndërthuren interesat dhe ku vendosen fatet e një shoqërie.

“Ministri” nuk është thjesht vazhdim, por një thellim i kësaj problematike. Ai përpiqet të tregojë se si ndikimet politike mund të depërtojnë dhe të ndikojnë zinxhirin institucional, duke krijuar një efekt domino që prek drejtësinë, sigurinë dhe besimin publik.

Sepse, në fund të fundit, drejtësia nuk mund të jetë e pastër nëse burimi i pushtetit është i kontaminuar.

Prandaj, po. “Ministri” është një zgjerim i asaj panorame, por edhe një përpjekje për të shkuar më thellë: për të kuptuar jo vetëm si deformohet drejtësia, por pse dhe nga kush.

Sa i pranishëm është sot fenomeni i ndërthurjes mes politikës dhe krimit në realitetin shqiptar?
Në fakt, unë përpiqem të mos përfshihem në debatin e politikës së ditës dhe në emra konkretë, sepse roli im, si autor dhe si profesionist, është më shumë të analizoj fenomenet sesa të komentoj rastet.

Por si fenomen, ndërthurja mes politikës dhe krimit është reale dhe nuk mund të injorohet. Nuk është një perceptim i krijuar, por një rrezik që shoqëritë në tranzicion e kanë njohur dhe vazhdojnë ta përballen me të.

Ajo që e bën këtë fenomen veçanërisht të rrezikshëm është fakti se ai nuk shfaqet gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Shpesh vepron në forma të sofistikuara, përmes ndikimit, financimit, lidhjeve të fshehta apo kapjes graduale të institucioneve. Dhe pikërisht kjo e bën më të vështirë për t’u identifikuar dhe për t’u luftuar.

Ky është një rrezik që kërkon reagim të vazhdueshëm dhe të gjithanshëm: nga institucionet, përmes forcimit të mekanizmave të kontrollit dhe transparencës; nga drejtësia, përmes veprimit të paanshëm dhe të vendosur; dhe nga shoqëria, përmes ndërgjegjësimit dhe refuzimit të normalizimit të këtyre fenomeneve. Kur këtij pushteti i shtohen edhe interesat kriminale, rreziku bëhet shumëfish më i madh.

Prandaj, më shumë se një çështje politike e ditës, kjo është një çështje e sigurisë së demokracisë dhe e së ardhmes së shtetit ligjor.

A mendoni se korrupsioni është bërë më i sofistikuar dhe më i vështirë për t’u identifikuar?

Sigurisht që po. Korrupsioni sot është bërë më i sofistikuar dhe, për pasojë, edhe më i vështirë për t’u identifikuar dhe goditur.

Duhet pranuar se krimi i organizuar dhe format e korrupsionit shpesh janë një hap përpara institucioneve. Ndryshe nga shteti, ato nuk operojnë mbi baza procedurash, nuk njohin kufizime burokratike dhe nuk janë të detyruara të respektojnë standarde apo konventa. Kjo u jep një fleksibilitet dhe shpejtësi veprimi që institucionet, për shkak të natyrës së tyre, e kanë më të vështirë ta ndjekin.

Sot nuk kemi të bëjmë më vetëm me forma të drejtpërdrejta korrupsioni. Ai është bërë më kompleks, më i strukturuar dhe shpesh i maskuar brenda mekanizmave ligjorë apo institucionalë. Në disa raste, depërtimi i interesave të caktuara në institucione krijon mundësinë që edhe vetë rregullat të deformohen, madje deri në atë pikë sa të legjitimojnë interesa që në thelb janë të papajtueshme me shtetin ligjor.

Kjo e bën luftën kundër korrupsionit më të vështirë, por edhe më të domosdoshme. Sepse nuk mjafton më vetëm reagimi pas faktit; kërkohet parandalim, transparencë dhe një vigjilencë e vazhdueshme institucionale dhe shoqërore.

Prandaj, reagimi duhet të jetë i vazhdueshëm, i koordinuar dhe mbi të gjitha i vendosur, sepse çdo tolerim, sado i vogël, krijon hapësirë për një problem shumë më të madh nesër.

A është e vërteta sot më e vështirë për t’u thënë apo më e vështirë për t’u besuar?

Në Mirditë ka një shprehje të vjetër: “Thuaje të vërtetën dhe shko e mbyllu për gjak.” Është një fjali e rëndë, por shumë domethënëse, sepse tregon se e vërteta nuk ka qenë kurrë e lehtë për t’u thënë.

Edhe sot, mendoj se e vërteta mbetet e vështirë për t’u thënë, sepse shpesh ajo përballet me interesa, me frikë, me presion apo me pasoja që jo gjithmonë janë të lehta për t’u përballuar. Të thuash të vërtetën kërkon guxim, por edhe një lloj vendosshmerie që jo të gjithë janë gati ta mbajnë.

Por, ndoshta akoma më shqetësuese është fakti se, në disa raste, e vërteta është bërë edhe e vështirë për t’u besuar. Shoqëria jonë, e lodhur nga zhgënjimet, nga manipulimet dhe nga informacioni i deformuar, ndonjëherë duket sikur preferon një gënjeshtër të rehatshme sesa një të vërtetë të pakëndshme.

Kjo krijon një situatë të rrezikshme: kur e vërteta relativizohet dhe gënjeshtra bëhet e pranueshme, atëherë humbet një nga shtyllat themelore të besimit shoqëror.

Prandaj, sfida nuk është vetëm të thuhet e vërteta, por edhe të rikthehet besimi tek ajo. Sepse një shoqëri që nuk beson më të vërtetën, rrezikon të humbasë drejtimin.

A ndihen qytetarët të mbrojtur nga drejtësia apo të zhgënjyer prej saj?

Fatkeqësisht, një pjesë e mirë e qytetarëve sot ndihen të zhgënjyer dhe, në disa raste, edhe të pambrojtur nga drejtësia.

Edhe pse reforma në drejtësi ishte një hap i domosdoshëm dhe unë personalisht e kam mbështetur atë si një proces të rëndësishëm për të pastruar dhe forcuar sistemin, rezultatet në praktikë nuk kanë qenë gjithmonë në lartësinë e pritshmërive. Një nga problemet më shqetësuese mbetet zvarritja e çështjeve për vite me radhë, që e bën drejtësinë të duket e largët dhe jo efektive për qytetarin.

Ka edhe vendime konkrete që krijojnë ndjesi zhgënjimi dhe pasigurie në opinionin publik, sidomos kur bëhet fjalë për raste të rënda kriminale, ku pritshmëria e qytetarëve për drejtësi është maksimale. Në këto raste, çdo perceptim për mungesë proporcionaliteti në ndëshkim ndikon drejtpërdrejt në besimin ndaj sistemit.

Po kështu, çështjet e pronave mbeten një plagë e hapur prej dekadash. Zvarritja e tyre ka krijuar jo vetëm pasiguri juridike, por edhe lodhje dhe humbje besimi te qytetarët që presin drejtësi prej shumë vitesh.

Megjithatë, duhet thënë se drejtësia nuk është një proces që ndryshon brenda natës. Ajo kërkon kohë, konsolidim institucional dhe mbi të gjitha qëndrueshmëri në standarde. Sfida sot nuk është vetëm të reformohet sistemi në letër, por të rikthehet besimi i qytetarëve në praktikë. Prandaj, më shumë se kurrë, nevojitet një drejtësi që jo vetëm të jetë e drejtë, por edhe të perceptohet si e tillë nga qytetarët.

A po bëhet shoqëria shqiptare më tolerante ndaj fenomeneve negative si korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin?

Është një pyetje e vështirë, sepse përgjigjja nuk është e rehatshme. Dhe shpesh, edhe unë vetë kam hezituar ta them hapur atë që mendoj.

Kam përshtypjen se, në një masë të caktuar, shoqëria jonë ka zhvilluar një lloj tolerance ndaj fenomeneve të tilla. Ryshfeti, për shembull, në disa raste është perceptuar si diçka pothuajse “normale”, si një praktikë e trashëguar ndër vite, që ka gjetur rrugë të ndryshme për t’u justifikuar. Herë nga varfëria, herë nga pamundësia për të marrë shërbime në mënyrë të rregullt.

Në mënyrë paradoksale, kjo kulturë ka depërtuar në shumë momente të jetës: që nga lindja, te marrëdhëniet me institucionet, e deri te momentet më të rëndësishme familjare. Dhe kjo e bën problemin edhe më të thellë, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me shkelje ligjore, por me një mentalitet që rrezikon të normalizohet.

Por ajo që më shqetëson më shumë është një tjetër fenomen: mënyra se si perceptohet korrupsioni në opinionin publik. Ka raste kur një zyrtar i korruptuar nuk etiketohet si shkelës i ligjit apo si dëmtues i interesit publik, por si “i zoti”, “i shkathët”. Kjo është ndoshta forma më e rrezikshme e pranimit të së keqes, kur ajo jo vetëm tolerohet, por edhe admirohet. Dhe pikërisht ky rrezik ekziston: që korrupsioni të mos shihet më si devijim, por si pjesë e zakonshme e jetës.

Megjithatë, unë besoj se shoqëritë ndryshojnë. Dhe ndryshimi fillon nga reagimi, nga refuzimi i hapur i këtyre fenomeneve dhe nga ndëshkimi i drejtë dhe i paanshëm i tyre. Vetëm atëherë mund të ndryshojë edhe mënyra se si ne i perceptojmë këto sjellje.

Sepse në fund, beteja kundër korrupsionit nuk është vetëm ligjore, është gjithashtu edhe morale.

Çfarë përfaqëson Dibra për ju në formimin tuaj si njeri dhe si autor?

Dibra është vendlindja ime. Është krenaria ime e heshtur dhe e përjetshme. Është gjaku im, geni im, rrënja që më mban të lidhur me vetveten, pavarësisht se ku më çon jeta.

Ajo është poezia ime më e bukur. Ajo që nuk shkruhet me fjalë, por me kujtime, me mall, me frymë. Është motivi im, dashuria ime më e madhe, një ndjenjë që nuk shteron kurrë.

Në çdo hap timin, në çdo rresht që shkruaj, Dibra është aty. Është historia ime, zëri im i brendshëm, frymëzimi që më ndjek si një hije e butë dhe e dashur.

Është vendi ku kam mësuar të ndiej, të besoj, të qëndroj. Është fillimi im, dhe në një farë mënyre, gjithmonë kthimi im. Sepse, në fund, përtej gjithçkaje që bëhemi në jetë, mbetemi gjithmonë bijtë e vendlindjes sonë. Dhe për mua, Dibra është gjithçka.

A mendoni se zona si Dibra reflektojnë më qartë problemet e tranzicionit shqiptar?
Sigurisht që po. Zona si Dibra kanë mbajtur mbi supe peshën e tranzicionit më shumë se kushdo tjetër, ikjen, boshatisjen, heshtjen e gjatë të fshatrave që dikur gumëzhinin nga jeta.

Por sot, kur kthehem në Dibër, nuk shoh vetëm plagët e së shkuarës. Shoh edhe një shpresë që po ringjallet.

Që kur është bërë Rruga e Arbërit, rruga më çon më shpesh drejt saj, dhe çdo kthim është si një takim me vetveten. Shoh dibranë që rikthehen, që ndërtojnë, që ndezin drita në shtëpitë që kishin mbetur në heshtje. Shoh restorante që mbajnë erën e traditës, tryeza të shtruara me zemër, dhe buzëqeshje që rikthehen.

Dibra është një poezi e hapur e natyrës. Është rrjedha e Drini i Zi që flet me një gjuhë të vjetër sa vetë koha. Është madhështia e malit te Korabit që rri si një rojtar i heshtur. Janë liqenet e Lurës, si pasqyra ku qielli dhe toka takohen në qetësi.

Çdo kthim më bind se kjo tokë nuk është harruar, ajo vetëm ka pritur. Ka pritur njerëzit e saj, frymën e saj, jetën e saj.

Dhe unë besoj se ky rikthim është më shumë se zhvillim, është një ringjallje. Sepse vendlindja nuk vdes kurrë. Ajo jeton brenda nesh dhe pret, me durim, që ne të kthehemi tek ajo.

 Si mund të ndalet largimi i të rinjve nga këto treva?

Në një farë mënyre, përgjigjja lidhet me atë që thamë më parë: të rinjtë nuk i mban fjala, i mban mundësia. Largimi i tyre nuk është thjesht zgjedhje, por shpesh një domosdoshmëri, kur mungojnë kushtet, puna, perspektiva. Prandaj, ndalimi i këtij fenomeni nuk bëhet me thirrje emocionale, por me zhvillim real.

Duhet investim serioz në infrastrukturë, në arsim, në shërbime dhe mbi të gjitha në ekonomi lokale. Duhet të krijohen mundësi që një i ri të ndërtojë jetën e tij aty ku ka lindur, pa u ndjerë i detyruar të largohet.

Por ka edhe një dimension tjetër, më i ndjeshëm: lidhja me vendlindjen. Kur një i ri e ndjen se ai vend i përket, se ka një të ardhme aty, atëherë zgjedhja për të qëndruar bëhet më e mundshme.

Ajo që po shohim sot në Dibër, rikthimi i njerëzve, investimet, gjallërimi i jetës, është një shenjë shprese. Tregon se kur krijohen kushtet, njerëzit kthehen. Dhe bashkë me ta, kthehet edhe besimi.

Siç me kujtohet nje shprehje e fuqishme qe diku e kam lexuar, “e ardhmja varet nga ajo që bëjmë sot.” Nëse sot investojmë në këto treva, nëse i japim jetë dhe mundësi, atëherë e ardhmja e tyre nuk do të jetë boshatisja, por rikthimi.

Sepse në fund, askush nuk largohet me dëshirë nga vendlindja, largimi është gjithmonë një dhimbje. Dhe detyra jonë është ta kthejmë atë dhimbje në shpresë.

Sa rol ka pasur familja në jetën tuaj dhe në përballimin e sfidave profesionale?

Familja është themeli im. Është ajo që më ka formuar si njeri dhe si profesionist, burimi nga ku kam marrë vlerat që më kanë shoqëruar në çdo hap të jetës.

Në momentet më të vështira, gjithmonë i jam kthyer me mendje familjes sime. Kam kujtuar gjyshin tim të ndjerë, prindërit e mi, nënën dhe babanë që sot nuk jetojnë më, por që mbeten udhërrëfyes të përhershëm në ndërgjegjen time. Kam menduar për vajzën time, që është një dritë e veçantë për mua, për vëllezërit dhe motrat, për nipat dhe mbesat, të gjithë njerëz të përkushtuar, që mbajnë mbi vete vlera të forta pune dhe dinjiteti.

Secili prej tyre ka një rol të pazëvendësueshëm në jetën time. Edhe pse shpesh kam qenë larg tyre për shkak të angazhimeve profesionale, ata kanë qenë gjithmonë pranë meje në mendje dhe në zemër.

Madje, në shumë raste, kam ndjerë edhe një lloj përgjegjësie të heshtur, një kujdes të vazhdueshëm që veprimtaria ime të mos u krijojë shqetësime apo trazime. Sepse kur mban një mbiemër dhe një histori familjare, nuk përfaqëson vetëm veten, por edhe ata që të kanë rritur e qe te duan. Dhe për mua, kjo dashuri ka qenë gjithmonë forca që më ka mbajtur në këmbë. I dua shumë. Dhe, në fund të çdo rruge, gjithmonë tek ata kthehem.

Si e keni balancuar jetën mes detyrave të rëndësishme shtetërore dhe jetës personale?

Nuk është një balancë e lehtë. Në të vërtetë, më shumë se një ekuilibër i përkryer, ka qenë një përpjekje e vazhdueshme për ta ruajtur atë.

Detyrat shtetërore, sidomos kur janë në nivele të larta përgjegjësie, kërkojnë kohë, përkushtim dhe shpesh sakrifica personale. Ka pasur periudha kur puna ka marrë pjesën më të madhe të kohës sime, duke më detyruar të jem larg familjes dhe jetës personale më shumë nga sa do të kisha dëshiruar.
Por pikërisht në këto momente kam kuptuar sa e rëndësishme është të kesh një bazë të fortë familjare. Familja nuk është thjesht një pjesë e jetës, është mbështetja që të jep forcë për të përballuar çdo sfidë profesionale.

Kam mësuar me kalimin e viteve se nuk mund të jesh i suksesshëm në detyrë nëse humbet lidhjen me jetën personale. Prandaj, edhe në periudhat më të ngarkuara, jam përpjekur të ruaj disa momente të vogla, por të çmuara me familjen, momente që të rikthejnë ekuilibrin dhe të japin qetësi.

Në fund, balanca nuk është një pikë ku arrin një herë e përgjithmonë, është një proces i përditshëm zgjedhjesh dhe prioritetesh. Dhe për mua, familja ka mbetur gjithmonë prioriteti që i jep kuptim çdo përgjegjësie tjetër.

A ndikon jeta juaj personale në krijimtarinë letrare?

Po, sigurisht që ndikon shumë. Në fakt, krijimtaria ime letrare ushqehet drejtpërdrejt nga jeta ime.

Kam pasur një jetë dinamike, shpesh të mbushur me përplasje, sfida dhe përvoja të forta njerëzore. Kam njohur shumë njerëz, bashkëpunëtorë, miq, por edhe personazhe që jeta t’i sjell përpara në mënyra të papritura. Jam përballur me fenomene nga më të ndryshmet, me situata që të lënë gjurmë dhe që nuk harrohen lehtë.

Kam jetuar ditë dhe net me ankth, me dilema të vështira, me dështime që të vënë në provë. Por kam përjetuar edhe momente të bukura, ditë suksesi, arritjeje dhe triumfi që të japin forcë për të vazhduar.

Të gjitha këto janë bërë pjesë e brendshme e kujtesës sime. Dhe shpesh, në heshtjen time, në ato momente vetmie kur ulem të shkruaj, ato rikthehen një nga një. Kam mbajtur edhe shënime të shkurtra ndër vite, copëza realiteti, ndjesi, fragmente përjetimesh, që sot më ndihmojnë të ndërtoj botën letrare me më shumë vërtetësi.
Dhe unë kam zgjedhur të shkruaj për atë që kam parë, ndjerë dhe përjetuar.

Letërsia, për mua, është një mënyrë për të dhënë zë kësaj jete, për ta kuptuar më mirë dhe për ta ndarë me të tjerët.

Pas suksesit të romaneve tuaja, cili është hapi juaj i radhës?

Aktualisht jam në fazën e parë të një projekti të ri, po punoj mbi idenë dhe po ndërtoj kolonat e romanit të ardhshëm.

Është një proces që kërkon kohë dhe qetësi, sepse përpara se të nis shkrimin, përpiqem ta njoh mirë botën që do të ndërtoj: personazhet, konfliktet, atmosferën dhe mesazhin që dua të përcjell. Në një farë mënyre, romani fillon të jetojë brenda meje shumë kohë përpara se të marrë formë në letër. Pak kohe do pushoj dhe do mendoj.

Nuk dua të zbuloj shumë detaje në këtë fazë, por mund të them se do të vijoj të trajtoj tema që lidhen me realitetin tonë, me njeriun përballë pushtetit, drejtësisë dhe ndërgjegjes, tema që më kanë shoqëruar edhe në veprat e mia të mëparshme.

Çdo libër i ri është një sfidë më vete, por edhe një përgjegjësi më e madhe ndaj lexuesit. Pas çdo vepre, pritshmëritë rriten, dhe kjo më bën të jem edhe më kërkues ndaj vetes. Dhe unë e ndiej pikërisht kështu, si një udhëtim të ri që sapo ka nisur.

A do të vazhdoni të eksploroni temat e drejtësisë dhe pushtetit apo do të sillni një qasje të re letrare?

Po, në një farë mënyre po vijoj në të njëjtën linjë, siç e përmenda edhe më parë. Temat e drejtësisë, pushtetit dhe ndërgjegjes njerëzore mbeten në qendër të interesit tim letrar, sepse janë tema që lidhen drejtpërdrejt me realitetin që kemi jetuar dhe vazhdojmë të përjetojmë.

Por çdo roman është edhe një përpjekje për të sjellë një këndvështrim të ri. Nuk bëhet fjalë për të përsëritur të njëjtën histori, por për ta parë atë nga një dimension tjetër, më i thellë, më i maturuar dhe ndoshta më reflektues.

Edhe në projektin e ri, po përpiqem të ruaj këtë bosht tematik, por duke eksploruar më shumë botën e brendshme të personazheve dhe konfliktet e tyre njerëzore. Sepse në fund, përtej sistemit dhe pushtetit, është njeriu ai që mbetet në qendër të çdo historie. Dhe pikërisht në këtë përplasje të brendshme lind edhe drama më e madhe letrare.

A keni ambicie për t’u rikthyer në jetën publike apo për të kontribuar ndryshe për shoqërinë?

Nuk kam ambicie për t’u rikthyer në një karrierë publike, e aq më pak në politikë. Nuk është një rrugë që më tërheq.

Jam i kënaqur me atë që bëj sot. Kryej me përkushtim një detyrë në një institucion që lidhet me të drejtat e njeriut, dhe kjo më jep jo vetëm përgjegjësi, por edhe kuptim. Kam fatin të punoj me një staf të mrekullueshëm dhe profesional, gjë që e bën çdo ditë pune më të vlefshme.

Përtej kësaj, i kushtohem letërsisë në kohën e lirë, ajo është hapësira ime e brendshme, vendi ku reflektoj dhe krijoj. Sa herë që kam mundësi, udhëtoj. Udhëtimet, bashkë me miqtë e zemrës, janë një mënyrë për të mbushur shpirtin dhe për të parë jetën me një sy tjetër.

Në një farë mënyre, jeta ime sot është e thjeshtë në përkufizim: punoj për të jetuar me dinjitet, udhëtoj për të ushqyer shpirtin dhe shkruaj për të dhënë kuptim përvojës sime.

Kjo më mjafton. Dhe mbi të gjitha, i lutem Zotit për shëndet dhe jetë, që të mund të përmbush me qetësi dhe ndershmëri atë që kam në mendje dhe në zemër.

Si e shihni veten në të ardhmen: më shumë si shkrimtar apo si një zë aktiv në debatin publik?

Nuk më kanë pëlqyer asnjëherë daljet publike, as zhurma e studiove televizive apo ceremonive. Në fakt, kur më shihni në të tilla ambiente, duhet ta dini se nuk jam në elementin tim më të natyrshëm.

Ndihem më mirë larg vëmendjes, në qetësinë time, aty ku mund të punoj me veten, të reflektoj dhe të krijoj pa zhurmë.

Në këtë kuptim, e shoh veten më shumë si një nje autor librash, si një zë që flet përmes faqeve të tyre dhe jo domosdoshmërisht përmes mikrofonit. Besoj se fjala e shkruar ka një forcë tjetër: është më e thellë, më e qëndrueshme dhe më e sinqertë.

Kjo nuk do të thotë se nuk kam mendime për atë që ndodh në shoqëri, por mënyra ime për të kontribuar është përmes reflektimit dhe shkrimit, jo përmes ekspozimit të vazhdueshëm publik. Dhe ndoshta kjo është ajo që më përshtatet më shumë: të jem një zë i qetë, por i vërtetë.

 Çfarë dëshironi të lini si trashëgimi përtej letërsisë?

Mbi të gjitha, do të doja të lija pas një emër të mirë dhe të pa njollosur.Besoj se kjo është trashëgimia më e madhe që mund të lërë një njeri, jo vetëm ajo që shkruan apo ndërton, por mënyra si jeton, si sillet dhe si kujtohet nga të tjerët.

Ne mund të kemi arritje, pozicione apo vepra, por në fund mbetet dinjiteti. Dhe ai është diçka që nuk ndërtohet në një ditë, por ruhet çdo ditë, në çdo zgjedhje dhe në çdo veprim.

Në traditën tonë thuhet se njeriu mund te turperohet edhe në çastet e fundit të jetës, një kujtesë dhe instikt i fortë se ndërgjegjja nuk të lë asnjëherë. Prandaj, dëshira ime më e thjeshtë dhe më e thellë është të largohem nga kjo botë me faqe të bardhë. Dhe në këtë qëndrim, besoj, çdo përpjekje e njeriut për të lënë pas një gjurmë që ka vlerë.

A është “Ministri” një përpjekje për të tronditur ndërgjegjen publike dhe për të hapur debat mbi realitetin shqiptar?

Nuk e kam shkruar romanin për të tronditur, por për të reflektuar. Nuk besoj se letërsia duhet të kërkojë me çdo kusht tronditjen si qëllim në vetvete. Ajo që më ka udhëhequr është dëshira për të nxitur mendimin, për të hapur një hapësirë reflektimi mbi realitetin që jetojmë.

Sigurisht, nëse një vepër arrin të trondisë ndërgjegjen, kjo vjen si pasojë e së vërtetës që ajo mbart, jo si qëllim i drejtpërdrejtë. Sepse e vërteta, kur thuhet me sinqeritet, ka vetë fuqinë e saj për të prekur dhe për të shqetësuar.

Romani “Ministri” është një përpjekje për të hedhur dritë mbi disa fenomene që na kanë shoqëruar dhe vazhdojnë të na shoqërojnë si shoqëri. Është një ftesë për të parë më thellë, për të bërë pyetje dhe për të mos u pajtuar lehtë me atë që duket e zakonshme.

Dhe në këtë kuptim, nëse libri arrin të zgjojë qoftë edhe një reflektim të vetëm te lexuesi, atëherë ai e ka përmbushur qëllimin e tij.

Çfarë duhet të marrë me vete lexuesi pasi mbyll këtë roman?

Do të doja që lexuesi, pasi të mbyllë këtë roman, të marrë me vete më shumë pyetje sesa përgjigje.

Nëse ai ndalet për një moment dhe reflekton mbi atë që ka lexuar, mbi drejtësinë, pushtetin, ndërgjegjen dhe rolin e secilit prej nesh në këtë shoqëri, atëherë libri e ka përmbushur qëllimin e tij.

Nuk kam dashur të jap zgjidhje të gatshme, por të nxis një dialog të brendshëm me vetveten. Sepse ndryshimi fillon pikërisht aty, te pyetjet që i bëjmë vetes dhe te përgjigjet që guxojmë të pranojmë.

Në fund, do të doja që lexuesi të largohej nga ky roman me një ndjesi më të fortë përgjegjësie dhe me një besim më të thellë se e vërteta dhe drejtësia, sado të vështira, mbeten gjithmonë rruga e vetme.
Dhe nëse ky roman arrin të japë këtë ndjesi kuptimi, atëherë ai e ka justifikuar ekzistencën e tij/Intervistoi Dardan Fatos Daci

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular