Një ditë pas zjarrit të madh që përfshiu pallatin te “Farmacia 10” në Tiranë, policia ka arrestuar 4 persona, njëri prej tyre është menaxherja e Big Marketit, i cili ndodhej në katin e parë, nga ku dyshohet se nisi zjarri.
Në pranga është vënë edhe administratori i pallatit. Ndërsa mësohet se në kërkim është shpallur ndërtuesi i kompleksit, biznesmeni Armand Lilo.
Hetimet për shkaqet e zjarrit janë ende në vijim dhe autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet e zjarrit dhe përgjegjësitë përkatëse të personave të përfshirë.
Nga zjarri i rënë ditën e djeshme, 11 persona u paraqit në spital me probleme shëndetësore për shkak të asfiksisë. Ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Paraprakisht bëhet fjalë për rreth 30 apartamente të djegur plotësisht.
Ndërkohë nga ana e Krryeinspektorit të Përgjithshëm është ngritur një grup pune për inspektim, me qëllim zbardhjen shkaqeve të rënies së zjarrit.







