Zyra e Delegacionit të Bashkimi Evropian në Tiranë ka reaguar lidhur me ndryshimet e fundit në ligjin “Për portet turistike”, të miratuara nga Kuvendi.
Delegacioni i BE thekson se këto ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër, duke theksuar se legjislacioni BE-së, kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet.
Gjithashtu, në reagim theksohet se teksti i ri përfshin elementë të ngjashëm me ato të ligjit për Investitorët Strategjikë, një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë në kuadër të angazhimeve të saj në procesin e integrimit.
“Ne jemi në dijeni se Parlamenti miratoi ndryshime në Ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”.
Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet.
Gjithashtu kuptojmë se teksti i ri përfshin dispozita të pranishme në Ligjin për Investitorët Strategjikë. Ky është një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27.
Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime”, thuhet në reagimin e zyrës së BE në Tiranë, per News24!







