Më 7 prill, në ambientet e AAB, u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për tri ekipet fituese të Kuizit Kombëtar të Parasë 2026, si një moment vlerësimi për përkushtimin dhe rezultatet e shkëlqyera të nxënësve pjesëmarrës.
Gjatë aktivitetit, fituesit u përshëndetën nga z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, z. Martin Blushi, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, dhe z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, të cilët përgëzuan nxënësit për performancën e tyre dhe për nivelin e lartë të njohurive të treguara në garë.
Në qendër të vëmendjes ishte edhe ekipi fitues i vendit të parë, i përbërë nga Marinela Hoxha dhe Majla Idrizi, nga Shkolla 9-vjeçare “Imelda Lambertini” në Elbasan, të cilat do të përfaqësojnë Shqipërinë në finalen evropiane në Bruksel.
Gjithashtu, u vlerësuan me certifikata edhe ekipet e vendit të dytë dhe të tretë, përkatësisht Ajsli Manushi dhe Aira Hoxha, si dhe David Cepa dhe Bjork Bylykbashi, të gjithë nxënës të së njëjtës shkollë.
Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e përgatitjes për finalen e Brukselit, më 19 maj, duke nënvizuar angazhimin që do të vijojë në javët në vazhdim nga zyra ekzekutive e AAB, për të mbështetur ekipin fitues në këtë përfaqësim ndërkombëtar.
𝗞𝘂𝗶𝘇𝗶 𝗞𝗼𝗺𝗯𝗲̈𝘁𝗮𝗿 𝗶 𝗣𝗮𝗿𝗮𝘀𝗲̈ 𝟮𝟬𝟮𝟲
Ky vit ka dëshmuar një interes të veçantë për edukimin financiar të të rinjve, duke shënuar pjesëmarrjen më të lartë ndër vite në organizimin e Kuizit të Parasë në Shqipëri. Në Kuiz garuan 1,430 pjesëmarrës, prej të cilëve të regjistruar 1,196 nxënës të grup moshave 13–15 vjeç, të organizuar në 598 ekipe nga 108 shkolla në gjithë vendin, përfshirë pjesëmarrjen e 44 shkollave nga Tirana dhe 64 shkolla nga qytetet e tjera të vendit.
Gara u zhvillua on-line, më 26 mars, përmes platformës Kahoot! dhe ishte në transmetim direkt në kanalin e Shoqatës Shqiptare të Bankave, në YouTube.
Pjesëmarrësit u përshëndetën nga z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, z. Martin Blushi, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, dhe z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave.
𝗙𝗶𝘁𝘂𝗲𝘀𝗶𝘁 𝗲 𝗞𝘂𝗶𝘇𝗶𝘁 𝘁𝗲̈ 𝗣𝗮𝗿𝗮𝘀𝗲̈ 𝟮𝟬𝟮𝟲 𝗷𝗮𝗻𝗲̈:
𝗩𝗲𝗻𝗱𝗶 𝗶 𝗽𝗮𝗿𝗲̈:
Shkolla 9-Vjeçare “Imelda Labertini”, Elbasan – Klasa 9:
Marinela Hoxha & Majla Idrizi
𝗩𝗲𝗻𝗱𝗶 𝗶 𝗱𝘆𝘁𝗲̈:
Shkolla 9-Vjeçare “Imelda Labertini”, Elbasan – Klasa 9:
Ajsli Manushi & Aira Hoxha
𝗩𝗲𝗻𝗱𝗶 𝗶 𝘁𝗿𝗲𝘁𝗲̈:
Shkolla 9-Vjeçare “Imelda Labertini”, Elbasan – Klasa 9:
David Cepa & Bjork Bylykashi
Të tri skuadrat fituese shpërblehen financiarisht mundësuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, ndërsa ekipi i vendit të parë do përfaqësojë Shqipërinë në finalen evropiane në Bruksel, në një sfidë ndërkombëtare me skuadra nga e gjithë Evropa, me organizim të Federatës Evropiane të Bankave (EBF), që do të zhvillohet më 18–19 maj në Bruksel. Kjo pjesëmarrje do të mundësohet nga Raiffeisen Bank.
Mësimi përmes lojës, nëpërmjet Kuizit të Parasë, u organizua për herë të nëntë në Shqipëri nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave (ASD), me miratimin e Ministrisë së Arsimit.







