Opozita do të zhvillojë nesër protestën e saj të shtatë kombëtare, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Tubimi pritet të nisë në orën 19:00 para Kryeministrisë. Organizatorët kanë njoftuar Policinë e Shtetit për orën e fillimit, por jo për kohëzgjatjen e protestës.
Sipas burimeve, në protestën e 17 prillit pritet të rikthehen fjalimet nga drejtues të Partisë Demokratike, forumit rinor dhe partive aleate, ndryshe nga tubimet e fundit ku mungoi podiumi dhe fokusi ishte te marshimi.
Nuk përjashtohet që protesta të shoqërohet edhe me zhvillime të tjera gjatë mbrëmjes, përfshirë marshime në akse të ndryshme të kryeqytetit, në varësi të dinamikës së tubimit dhe orientimit nga organizatorët.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë. Në protestat e mëparshme janë angazhuar mbi 1 mijë efektivë në terren.
Opozita vijon të kërkojë largimin e qeverisë, duke e lidhur këtë me akuzat për afera korruptive ndaj ish-zyrtares së lartë Belinda Balluku, ndërsa çështja është bërë objekt i përplasjes politike mes palëve.







