HomeOP EDJo kredive të reja për rindërtimin e stërvonuar, të abuzuar dhe korruptiv...

Jo kredive të reja për rindërtimin e stërvonuar, të abuzuar dhe korruptiv të sektit Rama!

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj

Votoj kundër projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Cassa Depositi e Prestiti s.p.a., “Përmirësimi i rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të Shqipërisë pas tërmetit të vitit 2019” për shumë arsye, ndër të cilat, më kryesoret janë:

  1. Rindërtimi: një proces rritje skandaloze kostosh, abuzimesh dhe korrupsioni

Mbështes fuqimisht çdo investim të nevojshëm në sistemin tonë energjitik, edhe atë të përmirësimit të rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të Shqipërisë pas tërmetit të vitit 2019, por refuzoj me indinjatë modelin e Shqipërisë që zhytet në borxhe, për të mbuluar papërgjegjësitë, abuzimet dhe korrupsionin e sektit Rama në pushtet me procesin e rindërtimit!

Programi i rindërtimit u mbështet nga buxheti i shtetit, donatorët ndërkombëtarë dhe instrumente financiare si kreditë dhe grantet, me shuma të angazhuara arritën në qindra milionë euro. Për shkak të emergjencës nga Pandemia nga Covid-19, pjesa më e madhe e procedurave të tenderimit u përshpejtuan ose u përjashtuan nga praktikat standarde të prokurimit publik. Kjo krijoi terren të artë për sektin Rama, që qindra milionat e eurove të rindërtimit t’i prokuronte në kushtet e mungesës reale të garës, duke favorizuar operatorë të caktuar dhe duke rritur kostot përtej çdo llogjike dhe niveli të tregut.

Kostot për njësi të banesave të rindërtuara nga prokurimet e sektit Rama i kalojnë me rreth 1.8 herë ato për njësi apartamenti të 520 apartamenteve të projektit turk në Laç, për shembull. Rindërtimi i shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës publike ka ardhur me kosto shumë më të larta, krahasuar me projekte të ngjashme të realizuara në periudha të tjera të afërta, ose me ndërtime të ngjashme të së njëjtës periudhë në Kosovë, Maqedoni e Veriut apo Mal të Zi.

Në pjesën dërrmuese të projekteve të rindërtimit, sekti në pushtet ka bërë ndryshime të kontratave fillestare, duke gjeneruar fonde shtesë gjatë zbatimit. Këto rishikime kanë rritur koston totale dhe kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi saktësinë e planifikimit fillestar dhe kontrollin e shpenzimeve.

  1. Rindërtimi: vite larg përfundimit në Tiranë, Durrës dhe Lezhë

Më shumë se gjashtë vite e gjysëm pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit në qarqet më të prekura, në Tiranë, Durrës dhe Lezhë vijon të mbetet i papërfunduar në një numër të konsiderueshëm rastesh. Ritmi i përgjithshëm tejet i ngadaltë i procesit dhe vonesat e vazhdueshme kanë ngritur shqetësime serioze mbi efektivitetin e menaxhimit të këtij programi kombëtar.

Në shumicën e zonave ku është rindërtuar, sidomos në lagje të reja rezidenciale dhe projekte pallatesh, punimet kanë tejkaluar afatet fillestare me vite. Premtimet për përfundim të shpejtë nuk janë përmbushur, duke lënë me qindra familje në pritje të zgjatur.

Edhe sot, një pjesë e qytetarëve të prekur vazhdojnë të jetojnë me qira të subvencionuar ose në banesa të përkohshme. Kjo situatë jo vetëm rëndon financiarisht buxhetin e shtetit, por krijon edhe pasiguri sociale për familjet.

Në disa raste janë raportuar probleme me cilësinë e punimeve, ndryshime projektesh gjatë zbatimit dhe nevojë për ndërhyrje shtesë. Këto faktorë kanë ndikuar drejtpërdrejt në zvarritjen e afateve.

Procedurat e pronësisë, lejet e ndërtimit dhe koordinimi mes institucioneve kanë shkaktuar vonesa të konsiderueshme. Mungesa e një menaxhimi të unifikuar ka bërë që procesi të mos ecë me ritmin e kërkuar. Rritja e kostove të ndërtimit dhe ndryshimet në kontrata kanë sjellë nevojë për fonde shtesë dhe rishikime të buxhetit. Këto zhvillime kanë ndikuar në ritmin e punimeve dhe në shtyrjen e afateve.

Informacioni i detajuar dhe i përditësuar mbi ecurinë e projekteve ka qenë qëllimshëm tejet mase i kufizuar dhe i mangët, duke e bërë të vështirë, në mos të pamundur për mediat dhe publikun, që të kuptojnë se ku qëndron realisht procesi dhe cilat janë arsyet konkrete të vonesave.

Zvarritja e rindërtimit ka ndikuar negativisht në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe ka penguar zhvillimin normal urban në zonat e prekura, sidomos në qytete si Durrësi dhe Lezha.

Rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 mbetet një proces i papërfunduar, me vonesa shumëvjeçare dhe me sfida të dukshme në Tiranë, Durrës dhe Lezhë.

  1. Kur i gjithë procesi gjashtëvjeçar i rindërtimit ka qenë jotransparent, pse këto 35 milionë euro kredi për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të Shqipërisë pas tërmetit të vitit 2019 do të harxhohen me transparencë nga sekti Rama?!

Tenderat publikë të rindërtimit janë zhvilluar në kushtet e mungesës së informacionit të plotë mbi kontratat, përfituesit dhe ecurinë financiare të projekteve. Kjo mungesë transparence ka ndikuar në rritjen e mosbesimit tek qytetarët dhe të perceptimit për abuzime dhe korrupsion.

Publikimi i kontratave dhe i detajeve financiare nuk ka qenë gjithmonë i plotë dhe i aksesueshëm për publikun. Në mungesë të të dhënave të detajuara mbi ofertat, kriteret e vlerësimit dhe zbatimin e kontratave, bëhet e vështirë, në mos gati e pamundur, që të verifikohet nëse fondet janë përdorur në mënyrë efikase.

Ndryshe nga praktikat më të mira ndërkombëtare, rindërtimi tek ne nuk ka pasur një platformë të vetme, të strukturuar dhe të përditësuar me informacione, shifra dhe të dhëna në kohë reale, ku qytetarët dhe ekspertët të mund të ndjekin ecurinë financiare dhe fizike të projekteve të rindërtimit.

Në disa raste janë bërë amendime të kontratave gjatë zbatimit, shpesh me rritje të fondeve apo ndryshim të kushteve fillestare. Transparenca mbi arsyet dhe procedurat e këtyre ndryshimeve ka qenë zero!

Vështirësitë në aksesin e informacionit kanë penguar rolin e medias dhe të shoqërisë civile në monitorimin e procesit. Kjo ka dobësuar mekanizmat e kontrollit dhe ka rritur perceptimin për mungesë llogaridhënieje.

Institucionet e auditimit kanë evidentuar problematika në disa procedura, por raportimet nuk kanë qenë gjithmonë të shoqëruara me transparencë të plotë mbi pasojat konkrete dhe përgjegjësitë individuale të autoriteteve publike kontraktuese.

Mungesa e transparencës ka ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin e qytetarëve për mënyrën se si janë përdorur fondet publike dhe donacionet ndërkombëtare. Kjo ka sjellë pasoja afatgjata negative për besimin në institucionet shtetërore.

Prandaj dhe lind pyetja me të drejtë: si ne sot mund të besojmë se këto 35 milionë euro kredi të bankës italiane Cassa Depositi e Prestiti s.p.a. do të përdoren me përgjegjësi, efektivitet, efiçiencë dhe transparencë nga sekti Rama në pushtet?!

xxx

E kam theksuar edhe në raste të tjera të kredive që kemi marrë nga banka të tjera të huaja, apo edhe nga institucione financiare ndërkombëtare. Duhet të jemi shumë të kundesshëm për kreditë e reja që marrim, pasi ato rrezikojnë të rrisin nivelin e borxhit tonë publik.

Edhe pse  treguesit zyrtarë kanë reflektuar një rënie graduale të raportit të borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri, një analizë e thelluar tregon se pjesa dërrmuese e kësaj uljeje lidhet jo me konsolidimin real fiskal, por me mbiçmimin e lekut kundrejt valutave kryesore, sidomos euros.

Edhe pse raporti i borxhit ka rënë, niveli i tij mbetet relativisht i lartë për një ekonomi si Shqipëria, që ka nevoja të mëdha për investime dhe një bazë të kufizuar të të ardhurave. Shpenzimet për interesa vazhdojnë të zënë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit, duke kufizuar hapësirat për politika zhvillimore dhe sociale.

Një tjetër aspekt problematik është struktura e borxhit. Varësia nga financimi i jashtëm dhe nga tregjet ndërkombëtare e bën vendin të ndjeshëm ndaj luhatjeve të normave të interesit dhe kushteve financiare globale.

Për më tepër, në kushtet e normave më të larta të interesit në tregjet ndërkombëtare, kostot e shërbimit të borxhit mund të rriten ndjeshëm, duke zënë një pjesë të madhe të buxhetit të Shtetit. Luhatjet në kursin e këmbimit e rrisin barrën reale të borxhit, duke e bërë më të kushtueshëm shlyerjen e tij për financat tona publike.

Sa më shumë rritet pesha e borxhit, aq më pak hapësirë mbetet për shpenzime në sektorë jetikë si arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale dhe kjo do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në mirëqenien e qytetarëve.

Debati mbi borxhin publik në Shqipëri shpesh fokusohet tek kufijtë fiskalë dhe treguesit makroekonomikë, por një faktor po aq i rëndësishëm mbetet niveli i jetesës së qytetarëve. Në një ekonomi ku të ardhurat mesatare janë relativisht të ulëta dhe një pjesë e madhe e popullsisë përballet me vështirësi për të përballuar kostot bazë të jetesës, hapësira për rritjen e mëtejshme të borxhit publik bëhet e kufizuar dhe e rrezikshme.

Borxhi publik nuk është thjesht një çështje numrash; ai përkthehet në detyrime që duhen shlyer përmes taksave aktuale ose të ardhshme. Nëse qytetarët dhe bizneset kanë kapacitete të kufizuara paguese, çdo rritje e borxhit do të kërkonte ose rritje taksash, ose shkurtime shpenzimesh, të cilat mund të përkeqësojnë më tej standardin e jetesës.

Pa mekanizma të fortë monitorimi dhe transparence, për më tepër, kredi të dhëna për një proces me sfond të theksuar abuzimesh dhe rastesh korrupsioni, si ai i rindërtimi, ekziston rreziku që fondet e marra hua të mos përdoren në mënyrë optimale, duke mos gjeneruar kthimet ekonomike të nevojshme për të justifikuar koston e tyre.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular