Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.
Në fjalët përfundimtare në gjyqin ndaj tyre, prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për ta, duke pretenduar se vrasja e 30-vjeçares, bashkëshorte e Murselit, ishte kryer në mënyrë të planifikuar.
Vendimi u prit me lot dhe duartrokitje nga familjarët e së ndjerës.
Duke kundërshtuar akuzat e Prokurorisë, avokatët e të akuzuarve thanë se nuk ka prova të drejtpërdrejta se Murseli, Plava dhe Kokalla kanë kryer veprat penale.

Vëllai i Ademajt ka kërkuar burgim të përjetshëm për Murselin, Kokallën dhe Plavën, duke thënë se vrasja ishte e organizuar nga të akuzuarit dhe e ka lënë familjen në dhimbje të madhe.
Pas përfundimit të seancës, vëllai i saj dha një prononcim për mediat, i prekur, ku u shpreh se ky vendim lehtësoi sadopak dhimbjen e tij dhe familjarëve të tjerë.

Drejtësia shkoi në vend sot, teksa Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar përjetë Naim Murselin dhe Granit Plavën, dhe me 30 vite Kushtrim Kokallën, të tre të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Si dyshohet se ndodhi vrasja?
Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.

Aktakuza e ngarkon Murselin se kishte planifikuar vrasjen e saj, me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh. Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me Plavën, i cili akuzohet se ishte vrasësi.
Plava akuzohet se kishte vrarë Ademajn me armë zjarri, duke e qëlluar në kokë, sipas ekspertit mjekoligjor, në një largësi prej 2 deri në 5 centimetra. Sipas Prokurorisë, ai kishte kryer vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli.
Mirëpo, gjatë gjyqit, Kokalla ka deklaruar se marrëveshja me Murselin, për ta marrë përgjegjësinë e vrasjes, ishte për 250 mijë euro, por që të mos përmendeshin shuma të mëdha ishin dakortësuar që në Polici të përmendeshin vetëm 30 mijë euro.
Ndërkaq, prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviç, ka deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor se Murseli e kishte mbajtur për krahu bashkëshorten e tij, që të mos i shpëtonte plumbit.
“…Naimi, në mënyrë dinake, me dorën e tij të djathtë, e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit, pas çka, Naimi, me fëmijët, ka dalë nga vetura, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë prokurorja në nisje të procesit gjyqësor, më 31 janar 2025.

Pistoletën, me të cilën ishte kryer vrasja, Murseli akuzohet se e kishte blerë nga Tom Dodaj për 280 euro, në ditën e ngjarjes tragjike.
Ky i fundit ka pranuar fajësinë në fillim të procesit gjyqësor, ndërsa në shkurt të 2025-tës u dënua me pesë vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Mirëpo, pas rreth një viti, Gjykata e Apelit ia uli dënimi Dodajt në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, duke përmendur si faktorë pranimin e fajësisë, kërkimfaljen ndaj familjes së viktimës, dhe faktin që “nuk kishte qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që kishte shitur”.







