Princi Harry, Duka i Sussex-it ka ecur në një fushë të minuar në Ukrainë, duke rikujtuar nënën e tij, Princesha Diana, e cila kishte ndërmarrë një veprim të ngjashëm rreth 30 vite më parë.
Duka i Sussex-it udhëtoi drejt qytetit Bucha, pranë Kiev, ku forcat ruse masakruan qindra civilë gjatë pushtimit në vitin 2022, në javët e para të luftës. Sipas raportimeve, rreth 500 persona të të gjitha moshave u vranë në Bucha, një krim lufte që ende nuk ka marrë ndëshkimin e merituar.
Në deklaratat e tij, Harry shprehu keqardhjen që, tre dekada pas misionit të nënës së tij në Angolë, një tjetër operacion pastrimi minash po zhvillohet në një zonë konflikti.
Qëllimi i Princeshës Diana aso kohe ishte të sillte në vëmendje punën e organizatës bamirëse The HALO Trust, e cila merret me çminimin e zonave të rrezikshme. Sot, Ukraina përbën operacionin më të madh të kësaj organizate në nivel global.
Fushëbetejat në të gjithë territorin ukrainas janë të mbushura me një numër të madh municionesh, shumë prej të cilave mbeten ende aktive, duke përbërë rrezik serioz për jetën e civilëve. Edhe sot, shumë zona konsiderohen të pasigurta për shkak të minave kundër personelit dhe atyre kundërtanke.
Harry theksoi se procesi i çminimit është tepër kompleks dhe mund të zgjasë dy, tre, madje edhe katër dekada, deri në rikthimin e plotë të sigurisë për banorët.











