Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron, ka dhënë një intervistë të rrallë për mediat franceze, ku ka bërë një bilanc të viteve të saj në Pallatin Elysee, që nga ardhja në pushtet e bashkëshortit të saj, Emmanuel Macron, në maj të vitit 2017.

73-vjeçarja, ish-mësuese e gjuhës frënge, ka treguar se mban një ditar personal për të përballuar momentet e vështira, të cilin nuk ia ka treguar askujt.
“Ndonjëherë e kam të vështirë të shoh qiellin blu. Më parë kisha një jetë normale, me fëmijë dhe punë, si të gjithë. Këtu në Elysee vitet kanë kaluar shumë shpejt… Kanë qenë jashtëzakonisht intensive. Kam parë errësirën e botës, budallallëkun dhe ligësinë. Ndonjëherë ndihem e trishtuar si kurrë më parë”, është shprehur ajo.
Rrëfimi i saj vjen në një kohë kur ajo dhe familja e saj janë përballur me sulme të vazhdueshme online. Në muajin janar, disa persona u dënuan me deri në tetë muaj burg me kusht për shpifje dhe përhapje thashethemesh mbi identitetin e saj dhe diferencën në moshë me presidentin.
Gjatë procesit gjyqësor, vajza e saj, Tiphaine Auzière, denoncoi publikisht sulmet, duke i cilësuar si një “vënie sistematike në dyshim të identitetit dhe integritetit” të nënës së saj.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të Brigitte Macron, si pasojë e një fushate dezinformimi që është përhapur në shkallë globale.
“Kjo vorbull që nuk ndalet kurrë po ndikon gjithnjë e më shumë në jetën dhe shëndetin e saj”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, çifti presidencial ka vendosur të ndjekë rrugën ligjore për të luftuar shpifjet dhe teoritë konspirative, si në Francë ashtu edhe në SHBA. Në muajt e ardhshëm pritet një tjetër proces gjyqësor në Delaware, ku në fokus është influencuesja amerikane Candace Owens.
Sipas burimeve, Emmanuel dhe Brigitte Macron janë të gatshëm të dëshmojnë në gjykatë dhe të paraqesin prova për të ndëshkuar të gjithë ata që përhapin lajme të rreme për ta.











