Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj janë skualifikuar nga gara për kryetar të Partisë Demokratike, ndërsa një ditë më parë kandidimi nuk iu lejua as ish-deputetit të PD Ervin Salianji, nënkryetares së FRPD, Alesia Balliu dhe ish-anëtares së Komisionit të Rithemelimit, Evi Kokalari.
Raportohet se Sela dhe Mulaj nuk kanë përmbushur kriteret, përfundim i sjellë pas shqyrtimit të bërë nga KOKOE. Me këtë lëvizje, kreu aktual i PD, Sali Berisha mbetet kandidati i vetëm në garë.
Në këto rrethana, mund të mos ketë një proces të mirëfilltë zgjedhor për kreun e partisë, por mund të zhvillohet një referendum mes anëtarëve, për pranimin apo jo të Sali Berishës si lider.
Sakaq, kandidaturat e Ervin Salianjit, Alesia Balliut dhe Evi Kokalarit u konsideruan nga PD si të papërshtatshme. Madje, burime pranë selisë blu theksojnë se ish-deputeti Ervin Salianji është përjashtuar edhe si anëtar i PD.
Pra, në 23 maj, përballë Sali Berishës nuk do të ketë alternativë për kryetar të PD, por thjesht një rikonfirmim të tij.










