Gazetarja Emily Maitlis, e njohur për intervistën e bujshme me ish-princin Andrew lidhur me marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein në emisionin “Newsnight” të BBC-së, ka njoftuar se po vjen me një dokumentar të ri.
Dokumentari do të fokusohet në dosjet Epstein, duke sjellë në dritë elemente të reja për financierin miliarder dhe të dënuar për krime seksuale.
Me titull ende të pa konfirmuar zyrtarisht, “The Epstein Files”, projekti i ardhshëm do të paraqesë dëshmi të drejtpërdrejta nga të mbijetuarit, si dhe një analizë të detajuar të dokumenteve, rrjeteve dhe figurave të fuqishme që lidhen me aktivitetin kriminal shumëvjeçar të Epstein-it, sipas Channel 4.
Maitlis, e cila prezanton podkastin e suksesshëm “The News Agents”, do të përpiqet të trajtojë pyetjen se si Epstein arriti të qëndronte i paprekur dhe të shmangte drejtësinë për kaq shumë dekada.
Dosjet Epstein kanë qenë në qendër të vëmendjes publike gjatë muajve të fundit. Kujtojmë se intervista e realizuar nga Maitlis dhe e transmetuar në nëntor të vitit 2019 i shkaktoi një goditje të rëndë imazhit të Andrew Mountbatten-Windsor
Më pas u realizuan dy prodhime dramatike, në të parin rolin e Maitlis e interpretoi Gillian Anderson, ndërsa në të dytin Ruth Wilson. Vetë Maitlis shërbeu si producente ekzekutive në prodhimin e dytë për Amazon.
“Ia kam kushtuar karrierën time mbulimit të çështjeve që ata në pushtet do të preferonin të mos i dinim,” deklaroi gazetarja e njohur.
“Çështja Epstein është shprehja më e plotë e këtij fenomeni, një rrjet pasurie, ndikimi dhe pandëshkueshmërie që shkatërroi jetë dhe u mbrojt nga institucione që supozohet se duhet t’u besojmë. Të mbijetuarit kanë pritur mjaftueshëm. Jam e vendosur që kjo seri të japë përgjigje, jo thjesht të ngrejë më shumë pyetje,” shtoi ajo.
Sipas Deadline, regjinë e dokumentarit do ta realizojë Katie Sexton. Produksioni do të udhëhiqet nga kompania Lion TV, me mbështetjen e All3Media, në bashkëpunim me All3Media International, ndërsa Daniel Pearl do të jetë producent ekzekutiv.







