Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Stamboll, ku një grua 58-vjeçare vrau nusen e saj 25-vjeçare, duke pretenduar se kishte “pastruar nderin” e familjes.
Sipas mediave turke, autorja e krimit, Menexe K., qëlloi dy herë në kokë Bursin Sahin pas një debati të ashpër në banesë. Pas vrasjes, 58-vjeçarja doli në ballkon dhe bërtiti para fqinjëve: “E vrava nusen time, e pastrova nderin tim”, ndërsa më pas priti qetësisht mbërritjen e policisë duke pirë cigare.
Viktima, 25 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve, ishte e martuar me djalin e autores, i cili ndodhet në burg prej gjashtë vitesh. Sipas dëshmisë së Menexes në polici, ajo dyshonte se nusja po e tradhtonte të birin dhe pretendon se kishte zbuluar mesazhe që i përforconin dyshimet e saj.
“Si guxon ta tradhtosh? Djali im është në burg, a nuk të vjen turp?”, mësohet t’i ketë thënë ajo 25-vjeçares gjatë debatit fatal. Sipas autores, nusja e kishte sfiduar, çka bëri që ajo të humbiste kontrollin, të nxirrte armën dhe ta qëllonte dy herë në kokë.
Menexe K. u arrestua menjëherë nga autoritetet turke. Mediat vendase raportojnë se ajo kishte precedentë penalë dhe më herët kishte vuajtur një dënim prej 6 vitesh e 8 muajsh për trafik droge.







