Teksa ka mbërritur në Erevan të Armenisë për të marrë pjesë në Komunitetin Politik Europian, kryeministri Edi Rama ka reaguar për lajmin e rëndë të ndodhur në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Në një postim në platformën X, kreu i qeverisë shpreh keqardhjen për tragjedinë dhe i bashkohet lutjeve për shërimin e fëmijës së tretë, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë.
“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital”, shkruan Rama.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për rrethanat e aksidentit tragjik.








