HomeSocialeMiratohet lista e re e barnave të rimbursueshme për 2026-ën, mbulim i...

Miratohet lista e re e barnave të rimbursueshme për 2026-ën, mbulim i kostove deri në 100% dhe marzhe fikse fitimi

Advertismentspot_img

Këshilli i Ministrave ka kaluar një vendim të rëndësishëm për sektorin e shëndetësisë dhe qytetarët, duke miratuar listën e re të barnave që do të rimbursohen gjatë vitit 2026 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).

Vendimi i ri, i cili shfuqizon atë të vitit 2024, jo vetëm që përditëson medikamentet që përfitojnë mbulim financiar nga shteti, por vendos rregulla të rrepta për tregun farmaceutik, duke përfshirë fiksimin e marzheve të fitimit dhe negocimin e çmimeve me kompanitë e tregtimit.

Mbulimi i kostove nga 50% në 100% për pacientët

Sipas dokumentit zyrtar të qeverisë, harta e rimbursimit do të ndahet në dy kategori kryesore: Lista I për barnat që tregtohen në farmacitë e spitaleve dhe Lista II për ato që gjenden në rrjetin e hapur të farmacive dhe mbulohen nga FSDKSH.

Një lajm i mirë për pacientët është ruajtja dhe përcaktimi i saktë i fashave të rimbursimit. Qeveria thekson në vendim:

“Miratimin e masës së mbulimit të çmimeve të barnave të rimbursueshme, të renditur sipas klasifikimit ATC, në masën 50% – 100%, sipas grupeve terapeutike.”

Kjo do të thotë se për diagnoza dhe grupe të caktuara sëmundjesh, shteti do të vijojë të mbulojë plotësisht koston e mjekimit, ndërsa për të tjerat do të financojë të paktën gjysmën e vlerës.

“Filtra” për fitimet e farmacive dhe depove

Për të shmangur abuzimet me çmimet në kurriz të pacientëve dhe buxhetit të shtetit, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar qartë kufijtë e fitimit për tregtuesit e barnave të kësaj liste.

Vendimi sanksionon zbatimin e marzheve të tregtimit përkatësisht në masën 8% për tregtimin me shumicë (depot farmaceutike) dhe 24% për tregtimin me pakicë (farmacitë). Gjithashtu, parashikohen edhe marzhe të diferencuara për disa barna specifike, për të balancuar tregun.

Një aspekt kyç i vendimit është fuqizimi i rolit të FSDKSH-së si një “kujdestar” i buxhetit dhe mbrojtës i interesit publik. Qeveria ka urdhëruar institucionin që të vendosë kritere të forta për lëshimin e këtyre barnave.

“Ngarkohet FSDKSH që të përcaktojë kufizimet në përdorim, në sasi dhe në kohëzgjatje të trajtimit me barnat e kësaj liste, bazuar në kritere ekonomike, mjekësore dhe sociale.”

Për më tepër, Fondi detyrohet të hyjë në bisedime të drejtpërdrejta me kompanitë farmaceutike për të ulur kostot:

“Të lidhë marrëveshje për reduktimin e çmimeve të përfshira në këtë listë me mbajtësit e autorizimit për tregtim.”

Fleksibilitet dhe përditësim i përvitshëm

Sistemi i ri parashikon një mekanizëm dinamik për reflektimin e uljes së çmimeve. Nëse gjatë vitit çmimet për barnat e paregjistruara ose ato që janë alternativë e vetme pësojnë rënie, FSDKSH dhe Agjencia Kombëtare e Barnave do të reflektojnë menjëherë uljen në listë. Pulla e kontrollit do të lëshohet vetëm pasi ky çmim i ri të jetë miratuar zyrtarisht.

Për të garantuar transparencë dhe përditësim të vazhdueshëm, qeveria ka lënë si afat muajin Janar të çdo viti, kohë kur FSDKSH duhet të rifreskojë listën e barnave, alternativat tregtare dhe çmimet përkatëse.

Efektet financiare të kësaj pakete masive mjekësore do të mbulohen nga buxheti i parashikuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2026, duke i dhënë fund rregullave të vendosura dy vite më parë. /RTSH

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular