Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonë e Piacenzas në Itali, ku një 60-vjeçar me origjinë maqedonase vrau bashkëshorten e tij brenda apartamentit ku jetonin.
Sipas mediave italiane, Hako Vitanov telefonoi vetë numrin e emergjencës 112 pas krimit, duke u thënë operatorëve: “Ejani, kam vrarë gruan time”. Më pas ai u largua nga banesa, duke humbur gjurmët.
Menjëherë pas telefonatës, policia dhe karabinierët mbërritën në apartamentin e çiftit, në katin e gjashtë të një pallati në periferi të Piacenza. Brenda sallonit, pranë divanit, u gjet trupi i pajetë i 56-vjeçares Milena Vitanova, i shtrirë në një pellg gjaku. Pranë trupit ndodhej edhe një thikë, që dyshohet se është përdorur në krim.
Sipas hetimeve të para, viktima kishte shenja të dukshme në duar, çka lë të dyshohet se ka tentuar të mbrohej nga sulmi fatal. Autopsia pritet të zbardhë më shumë detaje mbi dinamikën e ngjarjes.
Ndërkohë, karabinierët nisën menjëherë kërkimet për autorin. Ai u gjet rreth dy orë më vonë në Cimitero Monumentale di Piacenza, pranë varrit të djalit të tij, i cili kishte ndërruar jetë disa vite më parë.
Mediat italiane raportojnë se 60-vjeçari kishte tentuar t’i jepte fund jetës duke prerë damarët, por u neutralizua në kohë nga policia. Pasi mori ndihmën e parë nga ekipet e emergjencës, ai u shoqërua në komisariat dhe u arrestua.
Çifti kishte katër fëmijë. Dy prej tyre, sipas autoriteteve, ishin dërguar pak para krimit te një i afërm që banonte pranë shtëpisë së tyre. Ndërkohë, banesa është bllokuar dhe hetimet vijojnë.







