HomeKryesoreToka bujqësore për të huajt, Qeveria bën gati draftin e ri, ja...

Toka bujqësore për të huajt, Qeveria bën gati draftin e ri, ja kushtet, zonat e ndaluara, limitet e blerjes dhe “vijat e kuqe”

Advertismentspot_img

Në kuadër të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian dhe plotësimit të detyrimeve për Kapitullin 4, “Lëvizja e lirë e kapitalit”, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hartuar një projektligj të ri që do të lejojë blerjen e tokës bujqësore nga personat fizikë dhe juridikë të huaj. Ky hap historik për pronësinë në Shqipëri synon të thithë investime të huaja, por vjen me filtra të rreptë për të mbrojtur pasurinë kombëtare.

Deri më sot, ligji shqiptar nuk e lejonte shitjen e tokës bujqësore te të huajt, duke u ofruar atyre vetëm mundësinë e qiradhënies deri në 99 vjet. Me ligjin e ri, i cili është i domosdoshëm për të përmbushur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), ky treg pritet të hapet, duke ofruar një potencial të madh për zhvillimin e agrobiznesit.

“Ky ligj synon të garantojë balancë mes interesit publik kombëtar dhe nxitjes së investimeve të huaja në bujqësi, duke mbrojtur tokën si pasuri dhe burim strategjik kombëtar,” theksohet në relacionin shpjegues të draftit, firmosur nga Ministri i Bujqësisë, Andis Salla.

Sipas dokumentit, objekt i këtij ligji do të jenë rreth 100 mijë hektarë tokë bujqësore e pandarë, si dhe 25 mijë hektarë tokë “disponibël shtetëror” që ka origjinën nga ish-Ndërmarrjet Bujqësore.

Filtri “antimonopol”, sa tokë mund të blihet?

Për të shmangur përqendrimin e tokës në pak duar dhe dominimin ekonomik nga të huajt, projektligji ka parashikuar një mekanizëm të fortë kufizues. Investitorët e huaj nuk do të mund të blejnë sipërfaqe të pakufizuara.

“Në këtë ligj është përcaktuar për personat fizikë dhe juridikë të huaj e drejta e blerjes për një sipërfaqe prej 2 hektarësh brenda të njëjtës bashki, si dhe deri në 30 hektarë në shkallë Republike. Ky përcaktim përbën njëkohësisht një instrument ‘antimonopol’ mbi tokën bujqësore,” sqaron Ministria në relacionin e saj.

Për të përfituar këtë të drejtë, të huajt duhet të përmbushin kritere specifike, si banimi afatgjatë në Shqipëri dhe zotërimi i një leje të posaçme për veprimtari bujqësore.

“Vijat e Kuqe”, ku nuk mund të ndërtohet apo blihet?

Ligji i ri ka vendosur barriera të pakapërcyeshme për zona të caktuara, me qëllim ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe trashëgimisë. Ndalohet rreptësisht kalimi i pronësisë së tokës nëse ajo ndodhet në zona me rëndësi strategjike dhe ushtarake; parqe kombëtare dhe rezervate të florës e faunës; zona me rëndësi historike apo arkeologjike; prona që janë ende objekt i procesit të kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve.

Për më tepër, drafti vendos detyrime strikte pas blerjes:

“Të huajt duhet ta përdorin tokën vetëm për veprimtari bujqësore dhe blegtorale. Ndalohet rreptësisht ndryshimi i kategorisë ose destinacionit të përdorimit të tokës,” paralajmëron dokumenti, duke theksuar se çdo shkelje do të përballet me ligjin.

Kur do të nisë zbatimi?

Edhe pse projektligji pritet të kalojë për miratim gjatë vitit 2026, efektet e tij nuk do të jenë të menjëhershme. Në nenin 12 të draftit është përcaktuar një klauzolë mbrojtëse kohore mjaft e rëndësishme: ligji do t’i shtrijë efektet e tij vetëm 7 vjet pas anëtarësimit të plotë të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Deri atëherë, institucionet shqiptare (Ministria e Bujqësisë, Bashkitë, ASHK dhe Ministria e Brendshme) do të duhet të ngrenë infrastrukturën e nevojshme të kontrollit për t’u siguruar që ky proces të jetë transparent dhe në shërbim të ekonomisë vendase.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular