Sot, më 13 maj 2026, në Vlorë u promovua libri “Skena dhe Prapaskena”, me autor akademikun, profesorin, politikanin e shquar, vlonjatin e mirënjohur, ish-ministrin dhe ish-kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli.
Figura e profesor Lufter Xhuvelit mbetet një ndërthurje e rrallë mes shkencës dhe politikës shqiptare. Në agronomi dhe në jetën publike, ai ka përfaqësuar simbolin e njeriut që ka lidhur në mënyrë organike tokën me njeriun, profesionin me shërbimin publik dhe dijen me vizionin politik. Prof.Lufter Xhuveli ka ditur të gërshetojë me sukses shkencën dhe politikën, duke drejtuar me përgjegjësi Partinë Agrare Ambientaliste dhe duke inkurajuar kulturën e koalicioneve dhe bashkëpunimit politik në vend.
Promovimi i kësaj vepre shumëdimensionale në qytetin e lindjes ishte një moment nderimi dhe respekti për figurën që profesor Xhuveli përfaqëson. Me Tragjasin në zemër dhe me Vlorën në shpirt, ai mbetet një personalitet i lidhur fort me rrënjët dhe identitetin e tij.
Skena dhe Prapaskena është rrëfim i një brezi që ka jetuar mes kontrasteve të thella historike nga diktatura te demokracia, nga izolimi në integrim dhe njëherazi është një testament i jetës së një njeriu që, me punë, dije dhe përkushtim, i ka qëndruar besnik idealit të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të tij.
Isha i nderuar të isha një nga referuesit në këtë promovim, krahas z.Ahmet Demaj, znj.Laureta Petoshati, Prof.Emeritus Bardhosh Gaçe, z.Albert Habazaj dhe z.Eqerem Canaj, Seri Xhaferraj ndërsa në fund përshëndeti vetë autori, Prof. Lufter Xhuveli.







