Një moment i pazakontë është regjistruar gjatë konferencës për shtyp të ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov në Indi, ku ai ndërpreu fjalën pasi telefoni i një gazetari nisi të binte në sallë.
Lavrov ndodhej në Indi për një vizitë zyrtare, kur gjatë konferencës një gazetar iu përgjigj telefonatës dhe tentoi të fliste me zë të ulët, por zëri i tij u dëgjua në ambient. Në atë moment, kryediplomati rus ndaloi konferencën dhe iu drejtua gazetarit në anglisht me ton të ashpër:
“Dëgjoni, a mund të na lini të vazhdojmë? Nuk po bëj shaka”, tha ai. Menjëherë më pas, Lavrov iu drejtua pjesëtarëve të sigurisë me fjalët: “Djema, nxirreni që këtej!”
Pas disa sekondash, ministri rus shtoi: “Zotëri, më falni. Nëse nuk e dorëzoni telefonin, ata do të nxjerrin armën, e dini”. Komenti i Lavrovit u interpretua nga të pranishmit si një shaka, pasi në sallë shpërthyen të qeshura. Megjithatë, në pamjet video që qarkullojnë në rrjetet sociale, ministri rus nuk shihet duke buzëqeshur gjatë deklaratës së tij, çka ka nxitur reagime dhe komente të shumta online.







