HomeEkonomiKuvendi shpall përsëri një vend vakant për në Këshillin Mbikëqyrës të BSH

Kuvendi shpall përsëri një vend vakant për në Këshillin Mbikëqyrës të BSH

Advertismentspot_img

Kuvendi i Shqipërisë pritet të hapë përsëri procedurën e aplikimit për vendin e fundit të mbetur vakant në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ky vendim vjen pasi në muajin shkurt të këtij viti seanca plenare nuk votoi kandidaturën e Matilda Shehut, që ishte propozuar nga një grup deputetësh të mazhorancës.

Arsyet e mosvotimit dhe të tërheqjes përfundimtare të propozimit për kandidaten Matilda Shehu nuk u qartësuan asnjëherë publikisht nga mazhoranca. Megjithatë, në mënyrë jozyrtare, u la të kuptohej se tërheqja mund të lidhet me praninë e një të afërmi të saj në Bordin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Në muajin shkurt, Kuvendi votoi emërimin e katër anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, përkatësisht Selami Xhepa dhe Holta Zaçaj, të propozuar nga vetë Kuvendi dhe Ervin Mete e Jonida Prifti, të propozuar nga Këshilli i Ministrave.

Më pas, në muajin mars, Kuvendi votoi edhe vakancën e pestë, duke miratuar kandidaten tjetër të propozuar nga Këshilli i Ministrave, Olta Rushaj. Në vijim, Holta Zaçaj u votua nga Këshilli Mbikëqyrës në detyrën e zëvendësguvernatores së parë të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, një vend i fundit në Këshillin Mbikëqyrës ngelet ende vakant dhe pritet të plotësohet me procedurën e re të hapur nga Kuvendi.

Në fund të dhjetorit 2025, përfundoi mandati i gjashtë prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke përfshirë zëvendësguvernatoren e parë, Luljeta Minxhozi dhe anëtarët Ridvan Bode, Suela Popa, Edlira Luçi, Artan Hoxha dhe Violeta Staka. Ashtu siç kishte ndodhur edhe shtatë vjet më parë, dy institucionet që duhet të propozonin kandidaturat për plotësimin e vendeve vakante, Këshilli i Ministrave dhe Kryeministria, i kanë nisur procedurat ligjore me vonesë.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre pas përfundimit të mandatit. Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” kërkon që mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës zhvillohet me praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të emëruar, duke përfshirë praninë e kryetarit ose zëvendëskryetarit të Këshillit Mbikëqyrës. Për këtë arsye, për afërsisht dy muaj, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ishte faktikisht i paralizuar, në mungesë të kuorumit për të marrë vendime.

Kjo nuk ishte hera e parë që neglizhencat dhe vonesat në procesin e plotësimit të vakancave në institucionet rregullatore të tregut cenojnë funksionimin normal të institucioneve të pavarura. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u përball me një situatë të tillë pikërisht në vitin 2018. Mosplotësimi në kohë i vendeve vakante e bllokoi për një kohë të shkurtër vendimmarrjen në Këshillin Mbikëqyrës./Monitor.al

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular