Rolando Maran është prezantuar dje zyrtarisht si trajneri i ri i Kombëtares shqiptare dhe do të drejtojë kuqezinjtë në rrugëtimin drejt Euro 2028, që mbetet objektivi madhor i radhës. Një trajner italian, si të tjerë që kanë kaluar Adriatikun për të drejtuar në vendin tonë. Dhe nge përtej Adriatikut, vjen edhe një përshkrim i punës së tij në futbollin italian në të kaluarën.
Gaetano Moçiaro, gazetari i “Tutomercatoweb”, tregon për “Panorama Sport” disa nga etapat më të rëndësishme të Maran, duke u ndalur te fakti se ka qenë shumë pranë disa “mrekullive” me skuadra të cilat luanin futboll të mirë. Por gjithashtu, edhe rënien e ngadaltë në vitet e fundit të trajnerit 62-vjeçar, i cili që nga sot, është ulur në pankinën e kuqezinjve.
“Mund t’ju them se ai pati një periudhë shumë të mirë, le të themi midis viteve 2012 dhe 2019. Më ka rastisur të shoh Katanian dhe Kaljarin e tij dhe luanin futboll vërtet të shkëlqyer.
Ai ka bërë gjëra të shkëlqyera te Vareze, duke iu afruar ngjitjes në Serinë A në 2011/12. Mori drejtimin e ekipit në javën e 8-të kur ishte shumë keq, ishin të 14-tët dhe kishin fituar vetëm një ndeshje. Por i çoi në prag të ngjitjes në Serinë A, duke humbur vetëm ndaj Sampdorias në finale. Për t’ju dhënë një ide më të qartë të kësaj arritje, duhet të dini se Vareze nuk ka luajtur në Serinë A që nga sezoni 1974/75 dhe aktualisht po luan në Serinë D.
Më pas me Katanian, ai vendosi një rekord pikësh në një sezon të vetëm të klubit. Ai ekip ishte vërtet spektakolar kur luante në shtëpi dhe gjithashtu kishte lojtarë të shkëlqyer si Papu Gomez, Barrientos dhe Bergesio. Kishte edhe një shqiptar, Edgar Çanin, i cili luajti shumë pak.
Edhe me Kievon bëri shumë mirë, duke siguruar mbijetesën shpejt në shumë raste me një ekip që praktikisht nuk kishte tifozë dhe për këtë arsye një buxhet shumë të kufizuar.
Te Kaljari i bëri një start të jashtëzakonshëm të sezonit në 2019, madje duke ëndërruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve në një moment. Përsëri, mund t’ju them se pashë futboll të shkëlqyer duke përdorur një formacion 4-3-1-2. Pastaj, pas një ndeshjeje kundër Lacios, të cilën e humbën 1-2 në kohën shtesë, gjithçka ndryshoi. Ekipi hyri në krizë dhe ai madje u shkarkua. Që atëherë, karriera e tij ishte në një spirale në rënie, nuk kishte arritje domethënëse dhe doli nga skena e Serisë A, duke iu dashur të kënaqej me pozicione në Serinë B në klube si Piza dhe Breshia”, shpejgon Moçaro.
Por a mund t’ia dalë një trajner i profilit të Maran te Shqipëria, ku pritshmëria është tashmë shumë e lartë? “Sigurisht që është një pikëpyetje, sepse Maran ka qenë gjithmonë një trajner “fushe”, duke stërvitur ekipet e tij çdo ditë. Dhe ndryshe nga Reja, i cili stërviti gjithashtu për një kohë të shkurtër në Kroaci, apo dhe De Biazi, i cili stërviti në Spanjë, Maran nuk është larguar kurrë nga Italia. Dhe impakti i parë i tij mund të jetë i vështirë. Nga ana tjetër, ai ka avantazhin që shumë lojtarë shqiptarë luajnë në Itali, gjë që duhet ta bëjë punën e tij më të lehtë.
Sa i përket tifozerisë së nxehtë shqiptare, Maran ka bërë mirë te Katania dhe Kaljari, të cilat janë sigurisht klube me tifozeri pasionante. Shqetësimi im është se ai ka qenë prej disa vitesh jashtë xhiros së emrave të rëndësishëm dhe se mbërritja e tij në Shqipëri është shumë vonë”, tregoi gazetari italian.







