Dalja në dritë e detajeve të reja po shton pikëpyetjet rreth tragjedisë së rëndë në shpellat nënujore të Maldiveve, ku humbën jetën pesë zhytës italianë.
Mëngjesin e sotëm u nxorën nga uji edhe trupat e dy viktimave të fundit, Muriel Oddenino dhe Giorgia Sommacal, falë ndihmës së ekspertëve finlandezë të specializuar në zhytje në shpella.
Sipas mediave italiane, hetuesit po fokusohen në disa elemente që konsiderohen anomali serioze dhe që mund të kenë ndikuar në tragjedinë e ndodhur disa ditë më parë.
Një nga detajet që ka tërhequr vëmendjen lidhet me pajisjet e përdorura nga profesorja Monfalcone. Burime lokale thanë për “Corriere della Sera” se ajo kishte veshur një kostum të shkurtër zhytjeje, i cili konsiderohet i papërshtatshëm për eksplorime në thellësi dhe në shpella nënujore.
Ndërkohë, autoritetet kanë sekuestruar kamerat GoPro të përdorura nga zhytësit, me qëllim analizimin e plotë të pamjeve filmike që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Një tjetër pikë e dyshimtë ka të bëjë me mungesën e informacionit të saktë për vendndodhjen e shpellës ku po zhvillohej ekspedita. Zëdhënësi presidencial i Maldiveve, Mohameed Hussain Shareef, deklaroi për Associated Press se autoritetet, megjithëse kishin dhënë leje për zhytjen, nuk ishin informuar për vendndodhjen e saktë të shpellës që po eksplorohej.
Ai theksoi se bëhej fjalë për shpella shumë të rrezikshme, me terren të vështirë, rryma të forta dhe dukshmëri të ulët. Po ashtu, autoritetet kanë zbuluar se të paktën dy nga pesë viktimat nuk figuronin në listën zyrtare të studiuesve të paraqitur për ekspeditën.
“Ne nuk e dinim që ishin pjesë e ekspeditës”, deklaroi Shareef, duke shtuar më tej dyshimet mbi organizimin e misionit.
Megjithatë, elementi më i rëndë lidhet me mungesën e certifikimit për zhytje në shpella. Avokatja e operatorit turistik “Albatros” deklaroi për “Corriere della Sera” se asnjë prej zhytësve nuk kishte licencën e posaçme që kërkohet për eksplorime të tilla ekstreme.
Bëhet fjalë për një certifikim të avancuar zhytjeje, i cili autorizon eksplorimin e zgavrave apo shpellave nënujore, ambiente ku nuk është e mundur dalja direkte në sipërfaqe për shkak të “tavanit” shkëmbor.
“Sa di unë, asnjëri prej pesë zhytësve nuk kishte përgatitje specifike për zhytje në shpella dhe as certifikimin përkatës. Në këtë pikë, çështja e thellësisë kalon në plan të dytë.
Në çdo rast, kjo zhytje ishte jashtë programit të autorizuar nga Universiteti i Genovas dhe qeveria maldiviane. Gjithashtu, ajo ishte jashtë kapaciteteve tona operative si operator turistik, në kuptimin që ne nuk disponojmë pajisjet e nevojshme”, shtoi avokatja.







