Zbardhen detaje në lidhje me të shkuarën kriminale të kreut të grupit shqiptar, që u shkatërrua pas një aksioni të Antimafias Italiane, në bashkëpunim me SPAK. Bëhet fjalë për shtetasin Igli Kamberi.
Kamberi më 8 gusht të vitit 2015 u arrestua bashkë me një tjetër shtetas shqiptar, Artan Belliu. Ata u akuzuan si pjesë e një grupi që kishin planifikuar të vrisnin kryekëshilltarin e Partisë Demokratike të komunës së Barletës, Pasquale Ventura. Ngjarja tronditëse ndodhi më 20 janar të 2015-ës.
Mësohet se vrasjen e kryekëshilltarit e kishte porositur ish-bashkëshortja e tij, Conceta Dimatteo di Barleta 40 vjeç, edhe kjo e arrestuar. Asokohe mediat italiane raportuan se ndaj kryekëshilltarit të grupit të Partisë Demokratike në komunën e Barletës, Pasquale Ventura u qëllua disa herë me pistoletë me qëllim eliminimin e tij. Pas hetimeve rezultoi se gruaja e tij, Concetta Dimatteo di Barletta kishte paguar 20-30 mijë euro ndërmjetësin shqiptar Artan Belliu 53 vjeç për eliminimin e ish-bashkëshortit të saj nga i cili ishte ndarë pak kohë më parë me konflikte të forta ekonomike e sentimentale.







