Përfaqësuesja e Izraelit ka mbërritur në vendin tonë për të luajtur ndeshjen miqësore ndaj Shqipërisë në “Air Albania” me një situatë krejtësisht të pazakontë sa i përket trajnerit të ekipit. Ran Ben Shimon nuk ka udhëtuar me skuadrën, e cila në “Air Albania” do të drejtohet nga asistenti i tij, Gal Kohen.
Shkak është bërë një situatë e pazakontë me trajnerin, i cili pak kohë më parë, duke luajtur me miq të tij, është rrëzuar dhe ka përplasur kokën, duke pësuar një dëmtim serioz. Ai përfundoi i shtruar në në spital dhe për fatin e mirë të tij, situata ishte përmirësuar, por me mjekët që e kanë këshilluar që të mos udhëtojë derisa gjithçka të normalizohet plotësisht.
Vetëm dy ditë më parë, në grumbullimin e Izraelit, trajneri deklaroi për mediat vendase si kishte kaluar një situatë me të vërtetë të vështirë.
“Unë pësova një dëmtim me të vërtetë serioz. Po rikuperohem tashmë dalëngadalë. Kam marrë një përkujdesje të mrekullueshme në spitalin “Tel Hashomer”. Nuk kam përjetuar asnjëherë një gjë të tillë më parë në jetën time, por situata po përmirësohet ditë pas dite”, tha trajneri teksa prezantonte miqësoren me kuqezinjtë, që ai do e shohë nga televizori.







