Pas shoqatave të transportit publik, shqetësimi për instalimin dhe përdorimin e pajisjeve POS/POI për pagesa me kartë bankare është ngritur edhe nga prodhuesit e bukës.
Në një njoftim, Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave ngre shqetësimin se për shkak të kostove të komisioneve bankare, shumë dyqane të tregtimit të bukës në vend nuk lejojnë blerjet me kartë për shuma nën 500 deri 1,000 lekë.
Në njoftim thuhet se bizneset po përballen me kosto të larta nga komisionet bankare në transaksionet elektronike, ndërsa disa subjekte kanë vendosur kufizime për përdorimin e kartës në blerje të vogla ose kanë informuar klientët për mbulimin e komisionit.
Sipas shoqatës, mospërdorimi i kartës bankare për blerje nën këtë vlerë mund të kufizojë ofrimin e shërbimit, sidomos për turistët e huaj, të cilët gjatë sezonit veror rrisin ndjeshëm kërkesën.
“Po vjen periudha e verës ku përdorimi i blerjeve me kartë nga turistët është rritur së tepërmi.
Shumë nga kolegët tanë ankohen se në këto blerje komisioni bankar merr një pjesë të konsiderueshme të fitimit. Ne po bëjmë kontakte institucionale, por secili biznes duhet të ndërmarrë hapa mbrojtës.
Disa kolegë po aplikojnë mospërdorimin e kartës deri në kuotën 500–1000 lekë, ose vendosjen e njoftimit që komisioni bankar të paguhet nga vetë klienti,” thuhet në njoftim.
Shoqata shton se bizneset mund të aplikojnë forma të tjera mbrojtëse në varësi të aktivitetit të tyre
Detyrimi për instalimin e POS-ve krijoi shqetësim dhe konfuzion edhe te operatorët e transportit publik.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ngriti disa herë shqetësimin se procesi mbetet i paqartë për pagimin e kostove të komisioneve, ku vetëm kostot fikse për çdo transaksion të pagesës për biletën me çmim 40 lekë është 30 lekë. Por sipas shoqatës operatorët gjithashtu nuk janë ende gati për instalimin e pajisjeve, pasi teknikisht procesi është i pazbatueshëm për kushtet aktuale të transportit urban.
Në transportin urban publik operatorët ende nuk kanë nisur të instalojnë POS-et. Pak ditë më parë nëpërmjet një kërkesë dërguar 13 bankave ata kërkuan të njihen me kostot e procesit, që nga komisionet për transaksionet bankare, instalimi i pajisjeve, kostoja e mirëmbajtjes etj.







