Të zhgënjyer me klasën politike? Vetëm rreth 35% e qytetarëve morën pjesë në zgjedhje
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke lënë të kuptohet se në ditët në vijim do të zhvillojë bisedime me partitë e tjera për formimin e institucioneve të reja.
Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 42.92% të votave, duke mbetur forca e parë politike në vend. Megjithatë, rezultati paraqet një rënie krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025, kur partia fitoi mbi 51% të votave.
Në vendin e dytë është renditur Partia Demokratike e Kosovës me 21.06%, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.61%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 7.18% të votave, ndërsa Lista Serbe 6.17%. Edhe këto parti kanë shënuar lëvizje në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare.

Pjesëmarrja në votime ka qenë më e ulët se në zgjedhjet e kaluara, duke arritur rreth 35%, nga afro 45% që ishte në dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas Policisë së Kosovës, procesi zgjedhor është zhvilluar qetësisht dhe pa incidente që do të cenonin mbarëvajtjen e votimit.
Pak para mesnatës, Kurti doli para mbështetësve të tij në Prishtinë, ku e cilësoi rezultatin si një tjetër fitore të rëndësishme për Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai theksoi se kjo është fitorja e 5-të e partisë në zgjedhjet parlamentare gjatë 7 viteve të fundit, duke përmendur fitoret e viteve 2019, 2021, dy proceset zgjedhore të vitit 2025 dhe zgjedhjet e këtij viti.https://www.youtube.com/embed/ki-VZd4ybiw?si=gUpJgJ0_TZ0kEyyi
Kurti e konsideroi rezultatin si një konfirmim të mbështetjes qytetare për qeverisjen e Vetëvendosjes, ndërsa falënderoi aktivistët dhe mbështetësit për angazhimin e tyre gjatë fushatës.
“Ne bëjmë bashkë sigurinë e shtetit dhe kufijve me mirëqenien e qytetarëve. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi tejkaluar, sepse tash ka shtet për krejt, e ne jemi krejt për shtet”, deklaroi ai para simpatizantëve.
Kreu i LVV-së tha se qytetarët e shohin partinë e tij si garanci për mirëqeverisje dhe shtoi se Vetëvendosje mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën në drejtimin e vendit. Në fund të fjalimit, Kurti nënvizoi se legjislatura e 11-të duhet të nisë sa më shpejt, ndërsa paralajmëroi takime dhe konsultime me të gjitha partitë politike për të mundësuar formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
“Qytetarët nuk duan më zgjedhje”
Nga Prishtina, raportoi mëngjesin e sotëm, gazetarja Greta Bullari.
“U konfirmua Partia Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse duhet thënë se ka pasur një tkurrje të numrit të votave, krahasuar me zgjedhjet e fundit. Forcë e dytë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa forca e tretë Lëvizja Demokratike e Kosovës. Kjo e fundit ka patur një numër më të lartë votash krahasuar me zgjedhjet e fundit”, tha ajo.
“Ka një lloj zhgënjimi nga klasa politike”, shtoi Bullari, referuar pjesëmarrjes më të ulët në këtë zgjedhje, por edhe deklaratave që kanë dhënë disa qytetarë për mediet.
“Qytetarët nuk duan më zgjedhje të tjera, motiv janë edhe kostot që edhe mund të shmangeshin”, theksoi më tej.
“LVV shpreson që vota e diasporës do të shkojë në favor të tyre”, përfundoi Bullari, e cila që prej ditës së djeshme na ka njohur me çdo zhvillim lidhur me procesin zgjedhor.
Kosova voton, por stabiliteti s’vjen
Edhe gazetarja Linda Karadaku theksoi domosdoshmërinë e kompromisit politik, ndërsa raportoi se numërimi i kutive është drejt fundit.
“Duhet kompromis me patjetër, Kosova rrezikon sërish zgjedhje”, tha ajo.







