Një operacion i befasishëm i Policisë së Shtetit mbrëmjen e sotme (13 qershor) ka çuar në prangosjen e të shumëkërkuarit Moisi Habilaj, i akuzuar si kreu i organizatës kriminale që trafikonte sasi të mëdha droge dhe armësh nga Shqipëria dhe porti i Vlorës drejt brigjeve jugore të Italisë.
Ai u lokalizua dhe u arrestua në Borsh të Vlorës. Habilaj ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) e kishte dënuar përfundimisht me 10 vite burgim për veprat penale të trafikut të narkotikëve dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Gjithashtu më parë ai ishte arrestuar, dënuar dhe kishte vuajtur një dënim të dhënë nga Gjykata e Katanias, pas hetimit nga Antimafia Italiane.
Përveç dënimit në Shqipëri, Moisi Habilaj është dënuar më herët edhe nga autoritetet e drejtësisë italiane me 15 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.
Habilaj dhe familjarë të tij, së bashku me anëtarë të tjerë të grupit u zbuluan nga përgjimet e policisë italiane në vitin 2017, në atë që u quajt edhe dosja Habilaj-Tahiri”, për shkak se u dyshua edhe për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, kushëri i familjes Habilaj.
Ish-ministri socialist u akuzua nga ish-Krimet e Rënda se i kishte favorizuar, teksa pati dyshime për makinën që u shiti.







