Pedro Sanchez po përballet me një nga javët më të vështira që prej ardhjes në pushtet në vitin 2018. Kryeministri spanjoll, i cili u ngjit në krye të qeverisë duke premtuar luftë kundër korrupsionit, po sheh tashmë familjen, partinë dhe bashkëpunëtorët e tij të përfshirë në një sërë hetimesh dhe procesesh gjyqësore.
Goditja më e afërt vjen nga familja e tij.
Bashkëshortja e kryeministrit, Begona Gomez, është thirrur të paraqitet këtë të hënë para gjykatës pas përfundimit të një hetimi që ka zgjatur dy vjet. Gjyqtari Juan Carlos Peinado e ka akuzuar atë për shpërdorim fondesh, trafik ndikimi, korrupsion në marrëdhëniet tregtare dhe përvetësim fondesh.
Sipas hetimit, Gomez dyshohet se ka përdorur ndikimin e saj si bashkëshorte e kryeministrit për të siguruar dhe menaxhuar një pozicion në Universitetin Complutense të Madridit, si dhe për të avancuar interesa private përmes kontakteve personale dhe përdorimit të burimeve publike.
Në të njëjtën çështje janë përfshirë edhe ndihmësja e saj personale, Cristina Alvarez, si dhe biznesmeni Juan Carlos Barrabes. Të tre kanë mohuar akuzat dhe pritet të përballen me një proces me juri.
Hetimi nisi pas një kallëzimi të organizatës Manos Limpias, një grup që e përshkruan veten si sindikatë dhe që prej vitesh përdor rrugët gjyqësore kundër personave që i konsideron kërcënim për interesat demokratike të Spanjës.
Sanchez ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat ndaj bashkëshortes së tij, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të motivuara politikisht. Kryeministri ka akuzuar kundërshtarët e tij politikë dhe mediat pranë tyre se po përdorin familjen e tij për ta sulmuar politikisht.
Ndërkohë, edhe vëllai i tij ndodhet përballë drejtësisë. David Sanchez, muzikant dhe dirigjent, është në gjyq për trafik ndikimi. Ai akuzohet se ka përfituar një vend pune të krijuar posaçërisht për të si koordinator i konservatorëve muzikorë në qytetin Badajoz në vitin 2017, kur Pedro Sanchez ishte lider i Partisë Socialiste, por ende jo kryeministër.
David Sanchez i mohon akuzat, por nëse shpallet fajtor rrezikon deri në tre vite burg. Problemet për qeverinë socialiste nuk ndalen vetëm te familja e kryeministrit.
Dy ish-bashkëpunëtorë të afërt të Sanchez janë akuzuar për marrje ryshfetesh në kontrata publike, ndërsa një gjyqtar po heton gjithashtu nëse anëtarë të Partisë Socialiste kanë tentuar të ndikojnë ose të destabilizojnë procedurat gjyqësore që prekin partinë dhe qeverinë.
Megjithatë, zhvillimi që ka tronditur më shumë politikën spanjolle erdhi muajin e kaluar, kur nën hetim u vu edhe ish-kryeministri Jose Luis Rodriguez Zapatero, një nga figurat më të njohura të së majtës spanjolle.
Zapatero, i cili drejtoi qeverinë nga viti 2004 deri në vitin 2011, është urdhëruar të dëshmojë këtë javë para Audiencia Nacional, gjykatës më të lartë penale të Spanjës.
Hetimi lidhet me shpëtimin financiar prej 53 milionë eurosh që qeveria spanjolle miratoi në mars të vitit 2021 për kompaninë ajrore Plus Ultra gjatë pandemisë së Covid-19.
Prokurorët po hetojnë nëse kompania ka bërë përdorim të papërshtatshëm të fondeve publike, ndërsa policia antikorrupsion po shqyrton dyshimet se fondet e shpëtimit mund të jenë përdorur për pastrim parash nga Venezuela përmes Francës, Zvicrës dhe Spanjës.
Çështja mori një kthesë tjetër javën e kaluar kur Audiencia Nacional njoftoi se Zapatero po hetohet edhe për mashtrim fiskal dhe kontrabandë. Sipas hetuesve, gjatë kontrollit të kasafortës në zyrën e tij u gjetën bizhuteri me vlerë mbi 1.3 milionë euro.
Ish-kryeministri ka mohuar çdo shkelje. Opozita konservatore e Partisë Popullore ka shfrytëzuar situatën për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Partia e përshkroi javën që po kalon qeveria si një “kalvar gjyqësor” dhe një “turp kombëtar” për Spanjën.
“Nuk po flasim për një mollë të kalbur. Po flasim për një pemë që është e kalbur që nga rrënjët”, deklaroi Partia Popullore.
Pavarësisht presionit në rritje, Pedro Sanchez ka refuzuar kërkesat për dorëheqje ose zgjedhje të parakohshme. Ai ka deklaruar se do të vazhdojë mandatin dhe do të garojë në zgjedhjet e planifikuara për vitin e ardhshëm.
Sipas një sondazhi të publikuar të hënën nga e përditshmja online elDiario.es, 64 përqind e votuesve socialistë mendojnë se Sanchez duhet të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa 22.8 për qind kërkojnë që ai të shpallë zgjedhje të parakohshme.







