Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së hënës në zonën e Repsit, në Mirditë ku u ekzekutua me arme zjarri Valter Lleshi.
Veprimet hetimore dhe dëshmitë e mbledhura deri më tani kanë ndihmuar në rindërtimin e lëvizjeve të viktimës para atentatit.
Sipas burimeve hetimore, 45-vjeçari kishte dalë nga banesa e tij në Rrëshen rreth orës 06:00 dhe së bashku me një koleg pune ishte nisur drejt kompanisë së bazaltit në Reps ku punonte.
Rreth dy kilometra para vendit ku ndodhi krimi, pasagjeri ka zbritur në një lokal, ndërsa 45-vjeçari ka vijuar rrugën i vetëm.
45-vjeçari u gjet i vrarë brenda automjetit të tij rreth orës 07:10, në fshatin Shkorrët, në segmentin rrugor Reps–Spaç.
Ende nuk dihen motivet e ngjarjes apo autorët e mundshëm, por sipas raportimeve, 45-vjeçari dyshohet të ketë qenë i implikuar në vrasjen e Anton Kelit në Rrëshen në vitin 2020. Ngjarje që asokohe u lidh me hakmarrje për prishje të pazareve të drogës.
Lleshi punonte si shofer kamioni në një kompani që nxjerr inerte nga lumi Mat. Në 15 mars të këtij viti iu vendos një sasi lënde plasëse në mjetin me të cilin punonte, por asokohe shpëtoi.







