HomeEkonomiZhvillimet në treg dhe sfidat e sektorit bankar në fokus të takimit...

Zhvillimet në treg dhe sfidat e sektorit bankar në fokus të takimit të Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) me gazetarët e ekonomisë në Maltë

Advertismentspot_img

Tradita e takimeve të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB) me gazetarët e ekonomisë në vend vijon prej vitit 2016. Edicioni i tetë i kësaj nisme u zhvillua në Maltë, gjatë datave 11–14 qershor, me synimin për të informuar më gjerësisht mediat mbi zhvillimet në tregun bankar, reformat në proces dhe sfidat me të cilat përballet sektori.

Sekretari i Përgjithshëm i AAB-së, z. Spiro Brumbulli, theksoi se roli i bankave ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit. Përveç funksioneve tradicionale, sektori është përballur me përgjegjësi të reja që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, sigurinë kibernetike, tranzicionin e gjelbër dhe formalizimin e ekonomisë. Ai nënvizoi se, pavarësisht zhvillimeve në fushën e pagesave elektronike, bankat mbeten të vetmet institucione që mund të mbledhin depozita dhe të ndërmjetësojnë kreditimin e ekonomisë, duke ruajtur rolin e tyre si garantuese të stabilitetit financiar.

Një nga prioritetet kryesore të sektorit mbetet përshpejtimi i digjitalizimit dhe zgjerimi i përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave. Në këtë kuadër, AAB po punon paralelisht për nxitjen e ekonomisë pa para fizike, uljen e kostove të pagesave dhe avancimin e reformave që lidhen me digjitalizimin e shërbimeve financiare.

Pas integrimit të Shqipërisë në SEPA, që vetëm gjatë tre muajve të parë solli mbi 2 miliardë euro transferta dhe mbi 165 mijë transaksione, sektori po përgatitet për vënien në funksion të pagesave të menjëhershme (Instant Payments), të cilat pritet të jenë operative brenda vendit në dhjetor të këtij viti. Njëkohësisht, po avancon edhe ofrimi i shërbimeve të reja, si hapja e llogarive në distancë dhe përdorimi i nënshkrimit elektronik, duke shënjuar një tjetër hap të rëndësishëm në transformimin e sektorit bankar.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe programi “Dyfisho Biznesin Tënd”, i cili synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në përmirësimin teknologjik dhe rritjen e standardeve për t’u përgatitur për konkurrencën në tregun evropian. AAB do të jetë pjesë e promovimit që do të realizojë Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Banka e Shqipërisë. Financimi, përveç normave të ulëta të interesit, do të mbështetet edhe me garanci shtetërore për ata që nuk kanë kolateral.

Brumbulli vlerësoi gjithashtu qëndrueshmërinë e sistemit bankar shqiptar, duke theksuar se asnjë bankë në Shqipëri nuk ka falimentuar dhe se asnjë krizë ekonomike në vend nuk ka pasur origjinën nga sektori bankar. Edhe gjatë periudhës së krizës financiare të viteve 2008–2010, kur kreditë me probleme arritën rreth 25 për qind, humbjet u përballuan nga kapitali dhe fitimet e vetë bankave, pa mbështetje financiare nga shteti.

Pjesë e diskutimeve ishin edhe ndryshimet ligjore dhe rregullatore në proces, të cilat lidhen me projektligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë, reformimin e skemës së sigurimit të depozitave, harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe sfidat që lindin nga ndërveprimi i kuadrit të mbrojtjes së të dhënave personale me kërkesat e institucioneve të tjera publike.

Në kuadër të bashkëpunimit me institucionet shtetërore për avancimin e digjitalizimit, sektori bankar, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe AKSHI-n do të punojë për integrimin e pagesave të shërbimeve publike me infrastrukturat moderne të pagesave dhe zgjerimin e përdorimit të instrumenteve elektronike në administratën publike.

Gjatë qëndrimit në Maltë, gazetarët patën mundësi të njiheshin edhe me zhvillimet ekonomike të vendit. Me rreth 22 institucione bankare dhe një sektor financiar që kontribuon me rreth 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Malta renditet ndër vendet me peshën më të lartë të shërbimeve financiare në ekonominë e saj. Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore të Maltës, ekonomia e vendit pritet të ruajë një ritëm të qëndrueshëm rritjeje prej 3.7% gjatë periudhës 2026–2028, e mbështetur kryesisht nga konsumi privat dhe tregtia e shërbimeve.

Në përfundim, z. Brumbulli falënderoi gazetarët për interesimin dhe pasqyrimin korrekt të çështjeve që lidhen me sektorin bankar dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular