Një ngjarje tronditëse ka tronditur opinionin publik në Britaninë e Madhe, ku një ish-mësues dhe partneri i tij janë dënuar për vrasjen dhe abuzimin sistematik të një foshnjeje 13-muajshe, të cilën e kishin birësuar, ndërsa autorët kishin dokumentuar aktet e tyre përmes fotove dhe videove.
Ish-mësuesi i shkollës së mesme, Jamie Varley, 37 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht për vrasjen dhe abuzimin seksual të foshnjës. Partneri i tij, John McGowan-Fazakerly, 32 vjeç, u dënua me 25 vite burg për sulm seksual dhe për lejimin e vdekjes së fëmijës në shtëpinë e tyre në Blackpool, Lancashire.
Marrëdhënia e fëmijës me çiftin zgjati më pak se katër muaj. Ajo kishte filluar në prill të vitit 2023, menjëherë pas përfundimit të procesit të birësimit. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, djali i vogël mbante në trup 40 lëndime të ndryshme, si rezultat i një abuzimi sistematik fizik dhe seksual.
Gjatë seancës, Gjykatësi Turner theksoi se Varley shkarkonte frustrimet e tij personale mbi fëmijën, duke shkuar deri aty sa të regjistronte skena të privimit të qëllimshëm nga gjumi. Disa ditë para ngjarjes fatale, të dy të pandehurit kishin kryer një abuzim të përbashkët seksual, ndërkohë që foshnja ndodhej i lidhur në hekurat e krevatit të tij.
Më 27 korrik 2023, në ditën kur foshnja humbi jetën, ish-mësuesi ndodhej i vetëm në shtëpi me të. Si pasojë e abuzimit ekstrem, fëmija pësoi një krizë dhe ndërroi jetë. Megjithatë, i pandehuri refuzoi të kërkonte ndihmë mjekësore të menjëhershme, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Foshnja u dërgua në spital vetëm pasdite, kur partneri i tij u kthye në shtëpi, por ishte tepër vonë.







