Ish-avioni privat i baronit kolumbian të drogës, Pablo Escobar, është shndërruar sot në një akomodim luksoz në platformën Airbnb, ku një natë qëndrimi kushton rreth 500 euro për person.
Sipërmarrësi Johnny Palmer ka transformuar avionin legjendar Boeing 727, të ndërtuar në vitin 1968, në një hapësirë unike për pushime. Avioni ishte kthyer në mjet privat në fillim të viteve ’80, gjatë periudhës kur ishte në pronësi të Escobarit, një prej figurave më të njohura të botës së krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.
Escobar, i cili ndërtoi një perandori të madhe të trafikut të kokainës me një pasuri të vlerësuar rreth 30 miliardë dollarë, kishte pajisur avionin me detaje luksoze prej ari dhe kristali, duke e kthyer atë në një simbol të jetës së tij ekstravagante.
Edhe pse avioni ka kaluar në disa pronësi dhe është restauruar ndër vite, ai ende ruan stilin retro karakteristik të viteve ’80, duke e bërë një atraksion të veçantë për turistët.
Akomodimi përfshin dy dhoma ndenjeje, një dhomë gjumi me krevat dopio, tre tualete, një kabinë dushi dhe një kuzhinë të pajisur plotësisht, me hapësirë për deri në katër persona.
Në pjesën e jashtme, mysafirët mund të shijojnë një kuvertë me vaskë të nxehtë, sauna dhe dush të hapur, ndërsa objekti furnizohet me energji të rinovueshme përmes paneleve diellore.
Avioni ndodhet në zonën industriale Skyline Park në Bristol të Mbretërisë së Bashkuar dhe është vendosur mbi kontejnerë transporti, duke ofruar një përvojë unike për vizitorët.
Megjithatë, ata paralajmërohen se gjatë ditëve të javës zhurmat nga aktiviteti industrial mund të ndikojnë në qetësinë e qëndrimit.
Ndrysho madhesin







