Ekipet e shpëtimit po kërkojnë të mbijetuar nën rrënoja pasi dy tërmete të fuqishme goditën Venezuelën pranë kryeqytetit Karakas, duke shkaktuar të paktën 235 viktima dhe mbi 4.300 të plagosur.
Në Karakas dhe në qytetin bregdetar La Guaira, shumë persona u dëgjuan duke kërkuar ndihmë nga poshtë ndërtesave të shembura, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë pa ndërprerje për të shpëtuar sa më shumë jetë.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti i parë kishte magnitudë 7.2, ndërsa vetëm pak sekonda më vonë u pasua nga një tjetër edhe më i fortë, me magnitudë 7.5. Të dy lëkundjet ndodhën në thellësi të vogël, çka e rriti ndjeshëm shkallën e dëmeve.
Autoritetet druhen se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa mijëra banorë kanë mbetur pa strehë ose po kalojnë natën në rrugë, nga frika se ndërtesat e dëmtuara mund të shemben.
Tërmetet goditën vendin në orën 18:04 me orën lokale të së mërkurës, një ditë pushimi kombëtar në Venezuelë, kur shumë qytetarë ndodheshin në shtëpitë e tyre.
Sipas USGS-së, epiqendra e tërmetit të parë ishte në një thellësi prej 20,3 kilometrash, ndërsa e dyta vetëm 10 kilometra nën sipërfaqe.







