Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin e Xhorxhias, në SHBA, ku një 63-vjeçar dyshohet se vrau me armë bashkëshorten dhe vajzën e tij pas një debati të ashpër familjar për kujdesin ndaj nënës së tij të moshuar.
Sipas New York Post, konflikti nisi kur vajza e tij 37-vjeçare, Amanda, e akuzoi se nuk po kujdesej siç duhej për gjyshen e saj. Sipas hetimeve paraprake, të njëjtat akuza i kishte bërë prej kohësh edhe bashkëshortja e 63-vjeçarit, me të cilën kishte qenë i martuar për 38 vjet.
Debati u përshkallëzua brenda pak minutash dhe përfundoi në tragjedi. Pas të shtënave, autori telefonoi numrin e emergjencës 911 dhe pranoi krimin.
“Gruaja ime i tha vajzës sime se unë nuk kujdesem për nënën time. Unë kujdesem për të çdo ditë dhe sapo qëllova vajzën time dhe gruan time… Nuk mund t’i duroja më gënjeshtrat dhe mënyrën se si më bërtisnin. I humba. Më vjen shumë keq. Une e doja ate”, dëgjohet të thoshte ai në telefonatë.
Në një moment tjetër, ai u tha operatorëve të emergjencës: “E qëllova me një pistoletë kalibri 9 mm drejt në kokë.”
Policia mbërriti në banesën e familjes në qytetin e Oksfordit, rreth 64 kilometra në lindje të Atlantës, ku gjeti të vdekur 37-vjeçaren Amanda. Nëna e saj u transportua në gjendje kritike në spital, por humbi jetën pak më vonë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Dëshmitar i ngjarjes ishte edhe bashkëshorti i Amandës, Adam McGrath, i cili në telefonatën e tij me 911 tregoi se gruaja kishte qenë e shqetësuar gjatë vizitës në shtëpinë e prindërve dhe se debati me të atin u përshkallëzua shumë shpejt.
“E çova në shtëpinë e prindërve të saj dhe ajo filloi të grindej me të atin. Ai tha: ‘Kam një armë… Do ta tërheq këmbëzën’ dhe menjëherë pas kësaj e qëlloi në kokë”, deklaroi ai.
McGrath tha gjithashtu se 63-vjeçari më pas sulmoi edhe bashkëshorten e tij, duke e kapur për fyti, duke e rrëzuar në tokë dhe duke e kërcënuar se do ta vriste.
“Unë ika sepse duhej të mbroja dy fëmijët e mi dhe kisha frikë të kthehesha në shtëpi”, u shpreh ai.
63-vjeçari, i identifikuar si Ralph Minsey, është arrestuar dhe akuzohet për vrasje si edhe për një sërë veprash të tjera penale. Ai mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë familjare.







