Menjëherë pas lirimit të aktivistëve dhe protestuesve të shoqëruar, në vendngjarje ka mbërritur kreu i partizë “Mundësia”, Agron Shehaj, por prania e tij nuk është mirëpritur nga të pranishmit, duke ndezur një debat të ashpër verbal.
Një prej protestuesve të liruar, i identifikuar si vlonjat, ka shpërthyer në akuza të drejtpërdrejta ndaj deputetit Shehaj, duke e akuzuar atë dhe politikën se po tentojnë të marrin meritat e një proteste ku nuk ishin prezentë kur situata u tensionua.
Debati ka degraduar me tone të larta përpara kamerave dhe mikrofonave të mediave, ku protestuesi nuk ka pranuar asnjë lloj justifikimi nga politikani.
Protestuesi: “Kur ishte gjithë populli atje, pse nuk ishe me popullin? Pse nuk ishe me mua e të tjerët?
Agron Shehaj: “Qetësohu mo zotëri!”
Protestuesi: “Jam vlonjat unë! Nuk harrojmë ne! S’ka deklarata politike këtu!”
“Kemi dalë që në mëngjes, kush të tha të vish?”
I ndodhur nën presionin e protestuesve të revoltuar, Shehaj është përpjekur të sqarojë praninë e tij jashtë komisariatit, duke thënë se kishte shkuar pasi e kishin njoftuar, por kjo vetëm sa e ka irrituar më shumë qytetarin.Situata ka mbetur e ndezur për disa minuta, ndërsa protestuesit e tjerë kanë bërë thirrje që politikanët të qëndrojnë larg kauzës së tyre qytetare dhe të mos shfrytëzojnë dyert e komisariateve për protagonistë mediatikë.







