Google ka përfunduar një përditësim të gjerë të imazheve të Street View në Shqipëri, duke sjellë pamje të reja dhe me rezolucion të lartë nga qytetet, rrugët, destinacionet turistike dhe zonat natyrore në vend.
Përditësimi është pjesë e një nisme rajonale që përfshin edhe Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Në këto vende, automjetet e Google Street View kanë përshkuar mbi 103 mijë kilometra për të mbledhur imazhe të reja, për të zgjeruar mbulimin dhe për të përmirësuar cilësinë e informacionit në Google Maps.
Street View u mundëson përdoruesve të eksplorojnë virtualisht vende të ndryshme përmes pamjeve panoramike 360 gradë. Ky shërbim ndihmon në orientim, në planifikimin e udhëtimeve dhe në zbulimin e destinacioneve të reja përpara se ato të vizitohen fizikisht.
Në Shqipëri, përditësimi përfshin qendrat kryesore urbane si Tirana, Durrësi dhe Vlora, por edhe atraksione të rëndësishme turistike e kulturore. Përdoruesit mund të shohin virtualisht rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, bregdetin e Adriatikut dhe Jonit, qytetin e Beratit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si edhe Syrin e Kaltër, një nga monumentet më të njohura natyrore të vendit.
Përditësimi pritet të sjellë ndikim pozitiv në sektorin e turizmit, duke ndihmuar vizitorët vendas dhe të huaj të planifikojnë më mirë udhëtimet dhe të njihen paraprakisht me destinacionet. Përfitime priten edhe për bizneset lokale, të cilat do të kenë një paraqitje më të saktë dhe më të përditësuar në Google Maps.
Në një kohë kur Shqipëria po njeh rritje të turizmit, mjetet digjitale po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për promovimin e destinacioneve. Google thekson se, për mbrojtjen e privatësisë, fytyrat dhe targat mjegullohen automatikisht përpara publikimit të imazheve. Scan Tv







