HomeSportAngli-Argjentinë, gjysmëfinalja që ndez historinë/ Nga Lufta e Malvinave te “Dora e...

Angli-Argjentinë, gjysmëfinalja që ndez historinë/ Nga Lufta e Malvinave te “Dora e Zotit”, një duel me emocione përtej futbollit

Advertismentspot_img

Gjysmëfinalja mes Anglisë dhe Argjentinës pritet të jetë shumë më tepër sesa një ndeshje futbolli.

Përballja e së mërkurës në Atlanta rikthen në vëmendje një nga rivalitetet më të forta në historinë e sportit, ku futbolli ndërthuret me historinë, politikën dhe plagët e Luftës së Malvinave (Falkland) të vitit 1982.

Edhe pse nuk mund të konsiderohet një “rindeshje” e konfliktit ushtarak mes dy vendeve, sfida sjell në kujtesë çerekfinalen legjendare të Kupës së Botës 1986 në Meksikë, kur Diego Armando Maradona shënoi golin e famshëm me dorë, të njohur si “Dora e Zotit”, dhe më pas realizoi një prej golave më të bukur në historinë e futbollit, duke eliminuar Anglin

Malvinat, një plagë ende e hapur për Argjentinën

Për tifozët argjentinas, Ishujt Malvina mbeten një simbol kombëtar. Kjo dëshmohet edhe nga këngët e tyre më të njohura, si “Muchachos”, himni i triumfit në Kupën e Botës në Katar, ku ishujt përmenden si pjesë e identitetit kombëtar.

Lufta e vitit 1982 nisi pasi junta ushtarake argjentinase pushtoi ishujt, të cilët ndodhen pranë brigjeve të Argjentinës, por administrohen nga Britania e Madhe. Kryeministrja britanike Margaret Thatcher reagoi me një kundërofensivë ushtarake që përfundoi me rikthimin e kontrollit britanik mbi ishujt dhe me rënien e regjimit ushtarak në Argjentinë.

Edhe sot, konflikti mbetet një çështje e ndjeshme në opinionin publik argjentinas.

Nga Maradona te Messi

Përballjet mes Argjentinës dhe Anglisë kanë prodhuar gjithmonë histori të mëdha.

Në vitin 2002, Anglia fitoi 1-0 falë një penalltie të David Beckham, duke eliminuar Argjentinën nga Kupa e Botës. Ndërsa tani, vëmendja është te Lionel Messi, i cili kërkon ta udhëheqë edhe një herë kombëtaren drejt një tjetër finaleje.

Argjentina nuk ka bindur plotësisht gjatë këtij turneu, por ka arritur të mbijetojë në ndeshje shumë të vështira, falë karakterit të skuadrës dhe klasit të Messit.

Anglia vjen e lodhur, por me besim

Nga ana tjetër, Anglia mbërrin në këtë sfidë pas një rruge të vështirë. Skuadra ka kaluar ndeshje të lodhshme dhe ka pasur edhe probleme fizike, por ruan besimin se mund të rikthehet në një finale të madhe.

Në tribunat e stadiumit pritet një atmosferë elektrizuese, me mijëra tifozë nga të dy vendet që do ta shndërrojnë sfidën në një spektakël unik.

Një ndeshje që shkon përtej futbollit

Fituesi i kësaj përballjeje do të sigurojë një vend në finale, ku do të përballet me fituesin e çiftit Francë-Spanjë.

Por për Argjentinën dhe Anglinë kjo nuk është vetëm një gjysmëfinale. Është një duel që mbart kujtime historike, rivalitet sportiv dhe emocione të akumuluara prej dekadash, duke e bërë një nga përballjet më të shumëpritura të turneut.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular