Neurokirurgu italian Marco Locatelli, profesor i Neurokirurgjisë në Universitetin e Milanos dhe drejtor i Njësisë Komplekse të Neurokirurgjisë në ‘Policlinico di Milano’, ka ndarë në një intervistë këndvështrimin e tij mbi funksionimin e trurit, lumturinë, teknologjinë dhe stilin e jetesës.
Në zyrën e tij, mes dhuratave dhe mesazheve të falënderimit nga pacientët, bie në sy një koleksion yjesh prej kristali. Sipas tij, ato janë dhurata nga një paciente, e cila prej vitesh i dhuron nga një yll pas një operacioni të suksesshëm.
Me mbi 4 mijë ndërhyrje kirurgjikale gjatë karrierës, Locatelli thekson se suksesi nuk është meritë e një individi, por e punës në ekip. Ai zbulon se një nga operacionet më delikate ishte ai që kreu së fundmi te babai i tij.
Locatelli rrëzon një nga mitet më të përhapura për trurin, duke theksuar se nuk ekzistojnë zona të mëdha “të fjetura”.
“Edhe pse truri përbën vetëm rreth 2% të peshës trupore, ai konsumon afro 20% të energjisë së organizmit në gjendje pushimi. Ai punon vazhdimisht, edhe pse jo të gjitha zonat aktivizohen në të njëjtën kohë”, shpjegon ai.
Sipas neurokirurgut, mënyra më e mirë për ta mbajtur trurin në formë nuk janë suplementet apo “pilulat e zgjuarsisë”, por marrëdhëniet njerëzore.
“Kultivimi i dashurisë dhe i lidhjeve sociale është një nga ilaçet më efektive për mendjen. Ndërveprimet me njerëzit çlirojnë dopaminë dhe oksitocinë, substanca që lidhen me kënaqësinë, besimin dhe sigurinë emocionale”, thotë ai.
Një nga pohimet më interesante të Locatellit lidhet me mënyrën se si truri përjeton kënaqësinë.
“Sistemi i shpërblimit në tru aktivizohet si nga shija e çokollatës, ashtu edhe nga kënaqësia seksuale apo soditja e një vepre arti. Truri nuk i dallon këto kënaqësi në mënyrën si mendojmë ne, por i përpunon përmes të njëjtit mekanizëm biologjik”, shpjegon ai.
Megjithatë, ai nënvizon se kënaqësitë më komplekse, si arti apo muzika, kërkojnë kultivim dhe stërvitje të vazhdueshme të trurit.
Ndryshe nga shumë ekspertë, Locatelli nuk i demonizon rrjetet sociale.
Sipas tij, telefonat inteligjentë dhe platformat sociale ndikojnë në vëmendje, kujtesë dhe cilësinë e gjumit, por nuk janë shkaku i vetëm i problemeve.
“Ato nuk janë një e keqe absolute. Më shumë se sa krijojnë probleme, ato priren të amplifikojnë tiparet që secili prej nesh ka tashmë, si disiplina, kurioziteti apo mungesa e përqendrimit”, shprehet neurokirurgu.
Kur pyetet se cili ka qenë revolucioni më i madh në neurokirurgji, përgjigjja e tij është e papritur.
“Nuk janë vetëm pajisjet moderne apo teknologjia. Katër shpikje kanë shpëtuar më shumë tru sesa çdo inovacion tjetër: helmeta, rripi i sigurimit, airbag-u dhe mbështetësja e kokës në automjete”, thotë Locatelli.
Edhe pse e konsideron aktivitetin fizik të rëndësishëm për shëndetin e trurit, ai pranon me humor se nuk ka qenë kurrë i rregullt në palestër.
“Pasi pagova abonime në palestra pa arritur të shkoja rregullisht, hoqa dorë. Sot e them pa turp se preferoj një spa, një sauna dhe pak relaks”, përfundon neurokirurgu italian.







