HomeKulture"NJË DITË “AMBASADOR” I LIBRAVE TË MI…", Shefqet Meko: Mbresa nga panairi...

“NJË DITË “AMBASADOR” I LIBRAVE TË MI…”, Shefqet Meko: Mbresa nga panairi i parë në Minnesota përballë lexuesve të panjohur

Advertismentspot_img

Më 11 korrik 2026, isha i pari dhe i vetmi shkrimtar shqiptar në Tribunën e Panaireve Shtetërore, në kryeqytetin e shtetit tim, Minnesota. Tani ajo ditë jeton brenda meje si një kujtim i bukur. Një ditë më parë më erdhi një letër nga Shqipëria, plot kurajë, mbështetje dhe miqësi, nga shkrimtari Ahmet Prençi. Ajo letër u bë “balona” e emocioneve të mia…

Të jem i qartë: nuk ishte “panair botëror”, por ishte panairi më i madh veror i librit në Minnesota dhe i pari për mua. Rastësia bëri që të isha shqiptari i parë, shkrimtari i parë nga Shqipëria, që përballej aty me lexues të panjohur.

Ndërsa përgatitja stendën, m’u kujtua shkrimtari dhe poeti Marash Mirashi, i cili një vit më parë më kishte thënë:”Eja në panair, Shefqet. Është bukur. Takon njerëz që të lexojnë…”Kjo “penicilinë” marashjane më çoi në Panairin e Tiranës, nëntorin e kaluar. Ishte shumë bukur. Por ky i korrikut, në shtetin ku jetoj, ishte ndryshe: isha përballë me ata që nuk më njihnin.Midis qindra autorëve, botuesve dhe librarive, tavolina ime, numër 724, u bë ëndrra e asaj dite. Mijëra sy panë simbolin shqiptar. Ishte e vetmja tavolinë autori me simbolikë dyshtetërore.

Isha shqiptari i vetëm me librat e mi. Kisha frikë se nuk do të shisja asnjë kopje, por librat u shitën dhe tani janë në “adresa të panjohura”.Shpresoja se flamujt shqiptarë do të shërbenin si “karrem” për romanin tim të fundit, “Rënia Shqiptare”, por nuk ndodhi.

U binda se bota nuk jeton me ne; shpesh ne “gënjejmë veten”. Lexuesit që ndalonin te stenda ime kishin një pyetje të thjeshtë:” Pse duhet ta blej librin tënd?” Unë “kallkanizohesha” brenda vetes. Si “ta shisja veten”? I pyesja se çfarë dinin për Shqipërinë. Ata ngrinin supet. U flisja për Ismail Kadarenë, më të madhin që kemi. Shumica nuk e kishin lexuar.” Më lexoni mua. Ky libër do t’ju rrëfejë një botë shqiptare që nuk e njihni.” Ata më shikonin, buzëqeshnin dhe hapnin portofolin… Atë ditë kuptova diçka të thjeshtë: duhet të shkoj te lexuesi. Duhet të guxoj përballem.

Panairet e librave janë përballje me të panjohurën. Nuk e harroj zonjën që bleu librin e parë. Ma tregoi me gisht titullin që dëshironte, pagoi dhe iku. Vetëm pasi u zhduk në turmë mendova:” Pse nuk e pyeta nëse dëshironte autograf?”

Një tjetër zonjë, duke shfletuar “Vizën Amerikane”, pëshpëriti: “Kam frikë ta blej… Do të më bëjë të qaj.” U përpoqa t’i shpjegoja se ishte drama e ëndrrës amerikane, që jeton në zemrat e miliona njerëzve larg këtij kontinenti. Por ajo u largua.” Pse nuk ia fala librin?” – pyeta veten.

Panairi nuk është vetëm shitje. Është një përballje e bukur, e befasishme dhe gati e mistershme me lexuesin dhe të tjerë. Një ish-gazetar, Rob Jung, ndaloi te stenda ime. Sapo kishte krijuar një organizatë për të ndihmuar shkrimtarët në Minnesota.”Ofrojmë intervista në radio pa pagesë. Do të botojmë edhe një katalog. Dëshiron të jesh pjesë?” Ai mori librin tim dhe u zhduk në turmë.”Ky nuk është thjesht panair”, mendova. “Është një përplasje idesh, ku duhet të dish të zgjedhësh.”

Nuk isha ndër më të shiturit dhe as që e pretendoja. Por kjo përballje më kujtoi “provimin e biologjisë” me Robert Papajanin, gati gjysmë shekulli më parë. Lexuesi ishte enigmë, por edhe minierë.Një autor tjetër, që e kishte stendën dy blloqe më tutje, u afrua “Jemie Jalle më quajnë. Më befason titulli ‘Albanian Downfall’.”Pastaj më tregoi se, kur kishte parë filmin “Wag the Dog”, kishte menduar se Shqipëria ishte shpikje hollivudiane. Më vonë kishte mësuar se ishte një vend i vërtetë.U përqafuam dhe blemë librat e njëri-tjetrit “me klering”.

Vizita më e bukur ishte ajo e një zonje fisnike, e cila e njihte Tiranën dhe Shqipërinë.”Vend i mrekullueshëm”, më tha. “Vend i bukur, me aq shije…” Më në fund, dikush që e njihte atdheun tim. Ajo më foli për Rusinë, Kazakistanin, kineastët e rinj shqiptarë dhe Elsa Ballaurin. Erdhi tri herë te stenda ime, bleu “Rënia Shqiptare” dhe la edhe “bakshishin e vetëm” të panairit.Duke i dhënë autografin, i thashë:”A e dini se personazhi i dytë i këtij libri ka emrin tuaj?” Ajo qeshi dhe më dha kartëvizitën.”Im shoq do ta lexojë me dëshirë librin tuaj.”

Atë ditë u ndjeva vërtet “ambasador” i librave të mi dhe, në një farë mënyre, edhe i Shqipërisë. “Ambasador” vetëm pak orë të paharrueshme.

Dy shkrimtaret që kisha në të dyja anët e stendës më treguan për panaire të tjera në Mankato dhe Minneapolis. Njëra prej tyre shiti shumë më tepër se unë. M’u duk vetja “kot fare”, por ajo më tha:”Në panairin tim të parë shita zero. Ti shite. Është një fillim i mrekullueshëm.”

Ajo dinte si ta lidhte lexuesin pas vetes. Mblidhte emra, kontakte dhe premtonte edhe dhurata për blerësit e ardhshëm.Ishte një “patronizishte” amerikane .

Unë qesha me vete.

“Harroje mendësinë shqiptare. Bëhu amerikan”, sikur më tha një zë.

Gati tetë orë isha “ambasador” shqiptar i paakredituar në kryeqytetin e shtetit tim. Isha pezull midis librave, lexuesve dhe një mundësie të re.

Panairi i librit nuk ishte thjesht shitje. Ishte një univers libri, një përballje autor-lexues, një “kopsht mendimi”. Ajo ditë më bëri të ndryshoj mendim për panairet, sidomos në Amerikë. Ato janë orë mësimi. Duhet të vëzhgosh, të mbash shënime dhe të mësosh. Isha vetëm një ditë “ambasador” i librave të mi dhe i Shqipërisë në Minnesota.

Një ditë e bukur me librin. Një ditë që do ta kujtoj si “puthjen e parë”, por këtë herë ishte një “puthje diplomatike” me lexuesin që nuk e ke njohur kurrë.

Shefqet Meko�Minneapolis, MN�12 korri

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular