Një nga ish-asistentet e Jeffrey Epstein ka rrëfyer për herë të parë se si financieri amerikan, i akuzuar për trafikim seksual dhe abuzim, kontrollonte dhe manipulonte gratë që punonin pranë tij.
Gruaja, e identifikuar me emrin e rremë Anya, tha për BBC se u josh me premtimin për një karrierë në modeling, por përfundoi për vite me radhë nën kontrollin e plotë të Epstein, duke u përballur me abuzim seksual, kërcënime psikologjike dhe izolim.
Sipas saj, Epstein krijonte varësi të plotë financiare dhe emocionale ndaj viktimave. Ai kontrollonte jetën e tyre të përditshme, vendoste me kë mund të takoheshin, monitoronte telefonatat dhe i bënte të ndiheshin se nuk kishin rrugëdalje.
Anya rrëfen se gjithçka nisi pasi u prezantua me Epstein nga një skaut mode në Paris. Ai i premtoi lidhje me industrinë e modës dhe mundësi pune, por më vonë, sipas saj, kuptoi se gjithçka kishte qenë një skemë për ta afruar pranë tij.
Ajo pretendon se u abuzua seksualisht për herë të parë gjatë një vizite në Palm Beach, ndërsa Epstein po vuante dënimin për një çështje të mëparshme. Më pas, sipas dëshmisë së saj, abuzimet vijuan për vite.
Gruaja tregon se Epstein ushtronte kontroll edhe mbi pamjen fizike të viktimave. Në rastin e saj, ai e detyroi t’i nënshtrohej ndërhyrjeve kirurgjikale për heqjen e një tatuazhi, duke i lënë shenja të përhershme në trup.

Një tjetër element i kontrollit, sipas Anyas, ishte mbledhja e materialeve komprometuese. Ajo pretendon se Epstein fotografonte dhe filmonte gratë, ndërsa u kërkonte të shkruanin letra falënderimi, të cilat më pas mund t’i përdorte kundër tyre.
Në dëshminë e saj, Anya thotë se çdo asistente detyrohej të sillte gra të tjera në rrethin e Epstein, duke krijuar atë që ajo e përshkruan si një “ekosistem abuzimi”.
Rrëfimi i saj mbështetet edhe nga Sarah Kellen, një tjetër ish-asistente e Epstein, e cila ka deklaruar më herët para Kongresit amerikan se ai i bënte viktimat të humbnin autonominë dhe të vareshin plotësisht prej tij.

Jeffrey Epstein vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjykimin për akuza për trafikim seksual të të miturve. Pas vdekjes së tij, dhjetëra viktima kanë dalë publikisht me dëshmi të reja, ndërsa fondi i kompensimit për të mbijetuarit ka shpërndarë dëmshpërblime për shumë prej tyre.







