Janë zbuluar identitetet e tre personave të mbetur të plagosur në atentatin me armë të ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në lagjen “Vullnetari” në Elbasan.
Të plagosur kanë mbetur Armand Tomorrica, 32 vjeç, Renaldo Mance, 31 vjeç dhe Bjorgi Hoxha, 19 vjeç, të cilët, sipas Policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tyre, ndërsa ata ndodheshin në verandën e një lokali.
Autori është larguar nga vendi i ngjarjes, pasi gjatë arratisjes hodhi armën e zjarrit. Policia ka rrethuar zonën dhe vijon kontrollet për kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të atentatit.
Njoftimi i Policisë Elbasan:
“Rreth orës 20:30, në lagjen “Vullnetari”, Elbasan, në verandën e një lokali, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri, pistoletë, në drejtim të tre shtetasve: A. T., 32 vjeç, R. M., 31 vjeç, dhe B. H., 19 vjeç, të cilët janë plagosur, jashtë rrezikut për jetën.
Në momentin e ngjarjes, në brendësi të lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit, i cili, sapo ka dëgjuar të shtënat, ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit.
Gjatë ndjekjes, autori ka hedhur armën e zjarrit dhe ka mundur të largohet në thellësi të lagjes. Forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendin e ngjarjes për sqarimin e plotë të rrethanave, si dhe për sekuestrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit për identifikimin dhe kapjen e autorit”.







