Bilanci i viktimave nga fundosja e tragetit MV Barima në ujërat veriperëndimore të Gujanës në Amerikën e Jugut vijon të jetë i rëndë.
Sipas autoriteteve, deri më tani janë konfirmuar 27 viktima, ndërsa 83 persona rezultojnë ende të zhdukur.
Kryeministri i Gujanës, Mark Phillips, bëri të ditur se deri në këtë fazë të operacioneve të kërkim-shpëtimit janë shpëtuar 69 persona, ndërsa ekipet vijojnë kërkimet për të zhdukurit.
“Në këtë fazë të operacioneve, numri i të mbijetuarve është 69. Janë gjetur gjithsej 27 trupa, ndërsa 83 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur”, deklaroi Phillips gjatë një konference për shtyp.
Sipas ministrit të Punëve Publike, Juan Edghill, trageti u përmbys pasi u godit nga një valë e madhe. Anija ishte nisur mbrëmjen e së shtunës nga kryeqyteti Georgetown drejt Port Kaituma, në veriperëndim të vendit.
Mes dëshmive më prekëse është ajo e 18-vjeçarit Wayne Kitson, i cili tregoi se shumica e pasagjerëve ishin në gjumë kur trageti u përmbys. Ai arriti të mbijetonte pasi notoi për afro gjashtë orë, derisa u gjet nga ekipet e shpëtimit. Megjithatë, bashkëshortja dhe vajza e tij e vogël rezultojnë ende të zhdukura.
Sipas autoriteteve, trageti kishte një kapacitet prej 300 personash dhe nuk ishte i mbingarkuar. Në bord ndodheshin 116 pasagjerë dhe 17 anëtarë të ekuipazhit. Anija ishte ndërtuar në vitin 1939, i ishte nënshtruar mirëmbajtjes gjatë vitit 2024 dhe ishte pajisur me motorë të rinj.
Pak para fundosjes, rreth orës 23:00 sipas orës lokale, ekuipazhi dërgoi një sinjal emergjence, ndërsa trageti ndodhej në det të hapur.
“Ne vazhdojmë të shpresojmë se do t’i gjejmë të gjithë”, deklaroi ministri Edghill, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë dhe familjarët e të zhdukurve presin me ankth lajme për të afërmit e tyre.
Fundosja e MV Barima konsiderohet një nga tragjeditë detare më të rënda të viteve të fundit në Gujanë, një vend i Amerikës së Jugut me rreth një milion banorë.







