Një peshkatar është gjetur i pajetë në det në afërsi të ishujve të Ksamilit, në Sarandë.
Viktima është identifikuar si Mihal Zoi, 61 vjeç. Nga të dhënat paraprake dyshohet se ai është mbytur, ndërsa policia ka gjetur edhe mjetin lundrues të tij, i cili ishte fundosur.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, gjatë kushteve të këqija atmosferike dhe stuhisë që ka përfshirë zonën. Policia po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa po shqyrton pistën e një mbytjeje aksidentale si pasojë e motit të keq, por edhe atë të vetëmbytjes.
Mihal Zoi ishte i divorcuar dhe fëmijët e tij jetojnë në Greqi. Sipas burimeve, në Shqipëri ai kishte vetëm një motër.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes.
Njoftimi i policise:
Ksamil / Informacion paraprak
Sot, rreth orës 11:00, përballë Ishujve të Ksamilit, është konstatuar trupi i pajetë i shtetasit M. Z., 61 vjeç, peshkatar.
Nga këqyrja paraprake e kryer në vendngjarje dyshohet se shtetasi ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë, pasi dyshohet se kishte dalë për peshkim.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur edhe mjetin lundrues me të cilin 61-vjeçari dyshohet se kishte dalë për peshkim.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.







