Më 20 korrik 2026, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare shpalli një tendër me vlerë mbi 20 milionë euro për shërbime mirëmbajtjeje të dy TEC-eve të vjetër në Triport, Vlorë, të marrë me qira nga qeveria në shtator 2022.
I. Dy TEC-et lundrues në Triport: megaskandali i errët financiar i sektit Rama
Në gati katër vjet, këto dy rrangalla lundruese i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 90 milionë euro, në qira ditore në vlerë dhjetra mijëra euro, në kosto ankorimi, në mirëmbajtje dhe në shpenzime operative
Marrja me qira e dy TEC-eve lundrues të vjetër në Vlorë është rasti më problematik i administrimit të fondeve publike në sektorin energjetik shqiptar. Pas pothuajse katër vitesh nga nënshkrimi i kontratës, këto njësi prodhimi nuk kanë hyrë në funksion, ndërsa kostoja për taksapaguesit vazhdon të rritet. Në total, fatura, me realizimin e tenderit të shpallur nga KESH, do të arrijë në afro 110 milionë euro, pa prodhuar asnjë kilovat-orë energji për sistemin elektroenergjetik shqiptar!
Kur mori vendimin për sjelljen e TEC-eve lundruese në shtator 2022, sekti Rama e justifikoi me gjoja argumentin se Shqipëria po përballej me krizën ndërkombëtare të energjisë dhe me rrezikun e mungesës së prodhimit nga hidrocentralet për shkak të thatësirës.
Objektivi ishte sigurimi i energjisë në periudhat e krizës, ulja e importeve dhe garantimi i sigurisë energjetike. Realiteti rezultoi krejt ndryshe. TEC-et nuk hynë kurrë në prodhim për shkak të problemeve teknike, infrastrukturore dhe procedurale.
Për pasojë, ato nuk prodhuan energji, nuk ulën importet, nuk ndikuan në stabilitetin e sistemit energjetik dhe nuk krijuan të ardhura për KESH apo OST. Investimi nuk realizoi asnjë nga objektivat për të cilat u justifikua.
II. Fatura absurde e një afere energjitike të paprecedentë në rajon dhe Evropë
Problemi bëhet edhe më i rëndë, sepse pagesat nuk kanë përfunduar. Edhe pse impiantet nuk punojnë, shteti vazhdon të paguajë qiranë, kostot e ankorimit, mirëmbajtjen dhe shpenzimet operative.
Pyetja thelbësore sot është e thjeshtë: çfarë përfituan qytetarët shqiptarë nga ky projekt?
Në ekonominë publike ekziston një parim i qartë: çdo euro e shpenzuar duhet të krijojë një vlerë të matshme për qytetarët. Çdo fond publik i përdorur për një projekt që nuk jep rezultat krijon një “kosto të mundësisë së humbur”, ose kosto oportune.
Në rastin e TEC-eve lundruese, me të njëjtat fonde (110 milionë euro), në këto katër vite mund të ishin financuar investime në energjinë diellore dhe atë të erës, sisteme të ruajtjes së energjisë me bateri, programe për rritjen e eficiencës energjetike dhe mbështetje për prodhimin vendas të energjisë nga bizneset dhe familjet.
Këto investime do të kishin krijuar kapacitete afatgjata dhe do të kishin sjellë përfitime të qarta dhe të mëdha ekonomike, edhe pas përfundimit të krizës. Pra, kuptohet lehtë kosto oportune e jashtëzakonshme e këtij shpërdorimi dhe abuzimi gjigand me paranë publike.
Nj֝ë investim i ngjashëm i shkuar dëm në këtë mënyrë nuk ka precedent në rajon dhe në mbarë Evropën.
Pesë pyetje kërkojnë përgjigje urgjente për opozitën e Partisë Demokratike, që e ka denoncuar fuqishëm këtë aferë, dhe për mbarë opinionin publik: 1. A ishte marrja me qira e TEC-eve lundruese alternativa më e mirë në kushtet e krizës së vitit 2022? 2. Pse impiantet nuk kanë funksionuar në përputhje me objektivat për të cilat u kontraktuan? 3. Sa është kostoja totale që ka paguar dhe do të paguajë shteti shqiptar për këtë projekt? 4. A janë shqyrtuar mundësitë për rinegocimin ose ndërprerjen e kontratës në interes të financave publike? dhe 5. Çfarë përgjegjësish administrative, financiare apo politike janë identifikuar deri më sot?
III. Përgjegjësia e rëndë penale dhe institucionale e sektit Rama
Një projekt i këtyre përmasave nuk mund të mbetet pa një analizë të përgjegjësive. Duhet të bëhet e qartë kush e propozoi këtë zgjidhje, mbi çfarë studimi u mbështet vendimmarrja, kush mbikëqyri zbatimin e kontratës, cilat institucione monitoruan realizimin e objektivave dhe çfarë masash janë marrë, pasi u bë e qartë se impiantet nuk po jepnin rezultatet e pritshme.
Llogaridhënia është një element thelbësor i administrimit të financave publike. Dy rrangallat e papuna lundruese në Vlorë thërrasin çdo ditë hetim nga SPAK, nevojë për transparencë dhe auditim.
Rasti i dy TEC-eve të vjetra lundruese meriton një auditim të plotë teknik, financiar dhe ligjor. Një auditim i pavarur duhet të analizojë arsyet pse impiantet nuk u vunë në funksion sipas pritshmërive, kostot reale të kontratës, nëse ekziston një dëm ekonomik për financat publike dhe sa është ai, si dhe mësimet që duhen nxjerrë për projektet e ardhshme strategjike.
xxx
Vetëm përgjegjshmëria dhe transparenca mund të rikthejë besimin e qytetarëve në mënyrën se si administrohen fondet nga taksat e tyre. Mirëpo përgjegjshmëri dhe transparencë me sektin Rama në pushtet nuk ka!







