Autoriteti i Konkurrencës ka marrë një vendim të rëndësishëm në mbrojtje të konsumatorëve shqiptarë, duke vendosur kushte dhe detyrime të rrepta për dy operatorët kryesorë të shërbimeve celulare në vend, Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA.
Vendimi Nr. 1307, i marrë më 24 korrik 2026 pas një hetimi të thelluar, vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve dhe ankesave të shumta të qytetarëve. Gjatë hetimit, Autoriteti konstatoi rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve mes operatorëve, ngjashmëri të lartë të paketave, pakësim të ofertave me çmim të ulët, si dhe mungesë të dokumentimit të kostove që do të justifikonin këto ndryshime tarifore.
Për të korrigjuar këto shkelje dhe për të garantuar një treg më të drejtë, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur masa konkrete që duhet të zbatohen nga të dy kompanitë:
• brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç;
• paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo vetëm në aplikacione online apo kanale digjitale;
• pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara;
• çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet individualisht abonentit, qartë dhe të paktën 30 ditë përpara;
• çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove dhe ky dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet;
• paketat e reja duhet të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit; • kontratat tip duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për shmangien e klauzolave të padrejta;
• procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të shkruhen qartë dhe kuptueshëm në kontratë.
Të gjitha këto detyrime do të monitorohen rigorozisht nga Autoriteti i Konkurrencës për një periudhë njëvjeçare. Nëse Vodafone Albania apo One Albania nuk zbatojnë qoftë edhe një nga pikat e këtij vendimi, ato do të përballen me penalitete të rënda ligjore.







