Bashkëkryetari i Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, ka reaguar lidhur me propozimin e bërë nga ana e socialistëve që struktura e re të shkojë nga 61 në 46 bashki.
Mazniku thekson se procesi i konsolidimit territorial nuk nënkupton zhdukjen e bashkive apo qyteteve. Sipas tij, njësitë vendore të përfshira në reformë do të ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën urbane, por do të bashkohen nga ana administrative me bashkitë fqinje.
Gjithashtu, çdo qendër do të vazhdojë të ketë përfaqësim institucional dhe rol në planifikimin vendor. Synimi i këtij procesi është për ta bërë qeverisjen vendore më efikase, pa cenuar historinë dhe identitetin e komuniteteve.
“Përshëndetje,
Një sqarim dhe informacion shtesë në lidhje me lajmet që po qarkullojnë nëpër media sa i takon procesit të Reformës Administrativo – Territoriale.
Konsolidimi territorial nuk sjell “zhdukjen” e asnjë bashkie apo qyteti.
Bashkitë e përfshira në këtë proces ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën e tyre urbane. Ato përfshihen në një strukturë të re administrative përmes bashkimit me bashkitë fqinje, duke vijuar të kenë statusin e qytetit përbërës brenda njësisë së re vendore.
Çdo qendër e prekur nga ky proces do të vijojë të ketë përfaqësim institucional, përmes nënkryetarit përkatës dhe përfaqësimit në këshillin bashkiak, si dhe një rol të përcaktuar në planifikimin vendor, organizimin e shërbimeve dhe administrimin e çështjeve të komunitetit.
Ky proces synon një organizim më efikas të qeverisjes vendore, duke ruajtur identitetin, historinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve me territorin ku jetojnë”, thuhet në njoftim.
Bashkitë që bashkohen sipas propozimit të PS:
-Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
-Klos + Mat → Bashkia Mat
-Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
-Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat
-Patos + Fier → Bashkia Fier
-Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
-Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
-Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
-Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
-Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
-Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
-Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan
-Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd

Pavarësisht se Komisioni i Posaçëm Parlamentar mbi Reformën Administrativo-Territoriale është komision bipartizan, që drejtohet nga dy bashkëkryetarë të PS-së dhe PD-së, kjo e fundit nuk e ka zbardhur ende propozimin e saj.
Ndërkohë, PD kërkoi në një prej seancave plenare zgjatjen e afatit të punimeve të Komisionit, ndërsa Partia Socialiste u shpreh kundër.







